Sezoni turistik, AKU bllokon 3.5 ton produkte brumi në Berat
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit duke iu referuar një denoncimi, ka reaguar menjëherë nëpërmjet strukturave të tij, Task Forcës Ndërinstitucionale, Drejtorisë Rajonale të AKU-së Berat dhe në bashkëpunim me Krimin Ekonomik të Drejtorisë së Policisë së qarkut Berat, duke kryer inspektim në subjektin “A.K”, me aktivitet “Prodhim, përpunim produkte brumi”.
Nga kontrolli i ushtruar në ambientet e këtij subjekti, ka rezultuar se ky subjekt ushtronte aktivitetin me Nipt të pezulluar dhe në shkelje të kërkesave të legjislacionit në fuqi për ushqimin.
Aktiviteti ushtrohej në kushte të papërshtatshme higjieno-sanitare, lëndët e para për prodhim ruheshin në kushte të papërshtatshme, të paetiketuara dhe në prezencë të insekteve dhe të mykut.
Subjekti nuk kishte notifikuar asnjë prej etiketave në produktet e gatshme të ambalazhuara, nuk dispononte një sistem efikas gjurmueshmërie, kishte mungesë të theksuar dokumentacioni të kërkesave të sigurisë ushqimore dhe Planin HACCP.
Për shkeljet e konstatuara, trupa inspektuese vendosi bllokimin e menjëhershëm të aktivitetit, bllokimin e sasisë prej 3.5 ton produkte brumi si (amareta, llokume, briosh, pufka, kuleçë etj.) dhe 1.1 ton produkte brumi të denatyruara me dëmtime dhe me prezencë myku, si dhe u vendosën masat administrative me gjobë në vlerën e 2’500’000 mijë lekëve.


