Po vijnë për pushime! Gushti nis me fluks të shtuar në kufi. Emigrantët kthehen në shtëpi, të huaj “zbulojnë” Shqipërinë
Ky fillim gushti ka shtuar fluksin e udhëtarëve në pikat kufitare të vendit. Mes tyre dominojnë emigrantët që kthehen në vendlindje për të pushuar dhe vizituar të afërmit. Autoritetet thonë se kanë marrë masa, duke vënë në gadishmëri të gjitha sportelet me qëllim përballimin e numrit të lartë të vizitorëve.
Ditët e para të gushtit kanë shtuar fluksin në pikat kufitare, tokësore, detare e ajrore.
Shumica janë shqiptarë që kthehen në atdhe për pak ditë qetësi pranë njerëzve të afërm.
“Shqipëria e ka klimën e mirë dhe shumë mirë po na presin”, thotë një qytetar kosovar.
Fluks i lartë po shënohet në pikat kufitare me Greqinë!
Nga Kakavija përgjatë 24 orëve të fundit kanë hyrë afro 4 mijë persona.
Mbi 6000 udhëtarë hynë nga Maqedonia e Veriut përmes Qafë-Thanës, dhe 3707 të tjerë nga Kapshtica!
Fluksi ka nisur edhe nga deti.
Në katër ditët e fundit, tragetet e linjave me Italinë kanë sjellë mbi 12 mijë persona
Në Portin e Vlorës autoritetet thonë se këtë vit hyrje dhe daljet kanë qenë më të larta se verën e shkuar.
“Këtë vit janë 19 mijë hyrje, që do të thotë 2 mijë hyrje më shumë. Po kështu dhe daljet: nëse në korrikun e vitit të shkuar kishim 7 mijë dalje, sivjet janë 9600 persona. Tendenca është në rritje, po kështu edhe ajo e mjeteve”, u shpreh zyrtari i Portit.
Numri i udhëtarëve dhe turistëve pritet të jetë i lartë edhe përgjatë kësaj fundjave, ndërsa autoritetet thonë se kanë marrë të gjitha masat për të shmangur radhët dhe pritjet.



