Shpallen fajtorë pas një gjyqi të gjatë terroristët e masakrës së 2016-s në Bruksel

Një gjykatë në Bruksel ka shpallur fajtorë gjashtë burra për vrasje terroriste, më shumë se shtatë vjet pas sulmeve vetëvrasëse që vranë 32 persona në aeroportin e qytetit dhe një stacion metroje në mars 2016, shkruan BBC.

Pas një gjyqi të gjatë dhe 19 ditë diskutimesh të jurisë, gjykata e Brukselit dha vendimet e saj. Shumë nga ata në gjyq ishin dënuar tashmë për pjesëmarrje në sulmet terroriste të Parisit muaj më parë.

Salah Abdeslam u arrestua disa ditë para sulmeve në Bruksel.

Ai u shpall fajtor në Francë vitin e kaluar për sulmet me bomba dhe me armë në Paris të vitit 2015, në të cilat vdiqën 130 persona. Gjyqi belg, i cili filloi dhjetorin e kaluar, tani e ka dënuar edhe për vrasje dhe tentativë vrasje në Bruksel.

Një tjetër nga ata që tani janë shpallur fajtorë për të dy shpërthimet, Mohamed Abrini, u identifikua nga CCTV duke ikur nga aeroporti Zaventem kur eksplozivi i tij nuk shpërtheu.

Ai u bë i njohur si “burri me kapelë” dhe ishte në mesin e disa të dyshuarve të arrestuar në Bruksel disa javë më vonë.

Katër burra të tjerë u shpallën fajtorë për vrasje terroriste: Oussama Atar, Osama Krayem, Ali El Haddad Asufi dhe Bilal El Makhoukhi.

Dy bomba shpërthyen pak para orës 08:00 në skajet e kundërta të sallës së nisjeve në aeroportin Zaventem, duke lënë të vdekur 16 persona.

Më pas, pak më shumë se një orë më vonë, një shpërthim tjetër ndodhi në një tren në stacionin e metrosë Maelbeek në lagjen evropiane të Brukselit, afër institucioneve të BE-së ku 16 persona të tjerë vdiqën në atë bombardim.