Diabetikët dhe vera/ Shtohen pacientët diabetikë në urgjenca. Mjeku: Edhe turistët s’ishin përgatitur për këto temperatura

Temperaturat e larta të verës kanë sjellë shtim të pacientëve diabetik në urgjencat shëndetësore.

Mjeku endokrinolog, Florian Toti shprehet se kjo është pasojë edhe e mosrespektimit të këshillave.

Florian Toti, Mjek Endokrinolog: “Si gjithmonë në këtë kohë urgjenca është. Ka një shtim të numrit të rasteve, kjo edhe për shkak të mos respektimit të këshillave.

Por ka shtim edhe të numrit të turistëve që kërkojnë trajtim shëndetësor, të cilët nuk i kanë ndjekur këto këshilla, ose të themi që nuk ishin përgatitur për këto temperatura kaq të larta. Jo edhe për faktin se ato janë rreth moshës mbi 70 vjeç, pra kuptohet që janë dhe mosha më delikate”.

Prej disa muajsh për disa kategori fishat e diabetit janë falas, ndaj ai apelon që pacientët të konsultohen me mjekët e familjes.

Florian Toti, Mjek Endokrinolog: “Një pjesë e mjekëve ende nuk janë njohur me futjen e rimbursimit të fishave. Pra, kemi pacientë që thotë se mjeku nuk i ka thënë.

Dhe ne ia kemi kërkuar që vetë pacienti, pra për të gjithë personat që janë mbi moshën 65 vjeç normalisht i kanë fishat falas sipas grupmoshave dhe mjekimeve të ndryshme që ato kanë.

Pra, më pak janë ata që trajtohen me tabletë dhe më shumë janë ata që janë me trajtimin me insulinë, që t’ia kërkojnë këto të fundit mjekut të familjes”.

Toti në këtë stinë të nxehtë vere këshillon diabetikët të konsumojnë lëngje pa sheqer, të shmangin diellin, të veshin rroba të gjera me ngjyra të çelura, si dhe të kujdesen që të mos kalojnë menjëherë nga temperatura të larta në të ulëta dhe anasjelltas.