Pronat "lahen" me gjak/ Arrestohen 2 vëllezërit që plagosën me armë zjarri kushëririn në Kukës, në kërkim tjetri. EMRAT
Vihen në pranga 2 vëllezër në Kukës, autorë të dyshuar të ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme në fshatin Shtiqen, ku mbeti i plagosur me armë zjarri kushëriri i tyre.
Konkretisht, u arrestua shtetasi Xhevdet Muja, pasi gjatë konfliktit ka plagosur me armë zjarri shtetasin G. M., si dhe ka kanosur shtetasin S. M.
U arrestua shtetasi Vexhi Muja, pasi në bashkëpunim me vëllezrit e tij, (njëri i arrestuar dhe tjetri i shpallur në kërkim) kanë shkatërruar me mjete të forta zetorin e shtetasit S. M., si dhe e kanë kanosur.
U shpall në kërkim shtetasi Albert Muja, pasi dyshohet se ka qëlluar me çifte dhe ka goditur me shkop bejzbolli, shtetasin B. M.
Vijon puna dhe për kapjen e shtetasit tjetër të përfshirë në këtë konflikt (vëllai tjetër i dy të arrestuarve).
Njoftimi i policisë
Në vijim të veprimeve për dokumentimin e ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme, në fshatin Shtiqen, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Kukës arrestuan në flagrancë shtetasit V. M., 48 vjeç dhe Xh. M., 51 vjeç, banues në Shtiqen (vëllezër).
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se në fshatin Shtiqen, këta shtetas, në bashkëpunim me vëllanë tjetër, shtetasin A. M. (i shpallur në kërkim), janë konfliktuar për motive pronësie, me kushërinjtë e tyre, shtetasit S. M., B. M. dhe nipin e tyre, shtetasin G. M.
Gjatë konfliktit, tre vëllezërit kanë shkatërruar me mjete të forta zetorin e shtetasit S. M. Shtetasi Xh. M. ka plagosur me armë zjarri në këmbë, shtetasin G. M., si dhe ka kanosur shtetasin S. M.
Shtetasi i shpallur në kërkim A. M. dyshohet se ka qëlluar me çifte dhe ka goditur me shkop bejzbolli, shtetasin B. M.
Shtetasit e dëmtuar janë dërguar në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Vijon puna për kapjen e shtetasit A. M.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja me paremendim” mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Shkatërrimi i pronës me mjete të tjera”.