Shqiptarë e serbë në qytetin lindor të Kosovës nuk janë të shqetësuar për tensionet
Ndryshe nga situata e tensionuar në veri të Kosovës, disa qytetarë në komunën e Kamenicës rreth 65 kilometra në lindje të Prishtinës thonë se nuk kannë frikë apo tension mes shqiptarëve dhe serbëve në këtë qytet të vogël.
Ata thonë se jeta në këtë qytet është normale dhe shumica e shqiptarëve dhe pakica serbe i bëjnë thirrje qeverisë për më shumë investime dhe fajësojnë politikën për fërkimet ndërmjet tyre.
Bozhidar Periç dhe Slavica Joviç, të dy serbë, thonë se jeta e tyre mes shqiptarëve të Kosovës është normale dhe u bënë thirrje vëllezërve të tyre në veri që të mos dëgjojnë politikën.
Ata jetojnë në Kamenicë, një qytet në Lindje të Kosovës, rreth 20 kilometra nga kufiri me Serbinë, ndërsa 20 për qind e 52 mijë banorëve të kësaj komune janë serbë.
Tezgat e tregut të fruta-perimeve janë strehë për shqiptarët, serbët dhe romët. Gjuha shqipe dhe serbe fliten nga blerësit.
“Nuk ka asgjë të keqe mes shqiptarëve dhe serbëve këtu në komunën e Gjilanit dhe të Kamenicës. Ne jetojmë mirë me njëri-tjetrin. Ata blejnë nga ne, dhe ne blejmë prej tyre. Deri më tani nuk ka pasur asgjë të keqe”, tha Bozhidar Periç një qytetar serb.
“Marrëdhëniet tona janë të mira, super. Ne shesim bashkë dhe kemi një stendë të përbashkët së bashku. Shqiptarët dhe serbët blejnë nga ne”, tha Slavica Joviç një qytetare serbe.
Marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve janë tensionuar kohëve të fundit për shkak të ngjarjeve në veri të Kosovës ndërsa ka rritur shqetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, të cilët janë përfshinë drejtpërdrejt në qetësimin e situatës në katër komunat veriore me shumicë serbe.
Kryetari i komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, u bënë thirrje qeverive të Kosovës dhe Serbisë që në radhë të parë t’i marrin parasysh nevojat dhe kërkesat e qytetarëve.
“Sepse ata e dinë se çfarë sfidash dhe nevojash duhet të përballen çdo ditë dhe pastaj t’i trajtojnë me kujdes dhe më vonë ato (qeveritat) bien dakord për një zgjidhje të përhershme, duke mos cenuar të drejtat dhe integritetin territorial të asnjë vendi”, tha kryetari Rahimaj.
Një fabrikë e prodhimit të tullave, Brickos, në këtë komunë ka të punësuar 93 punëtorë, prej të cilëve një e treta e tyre janë serbë.
Menaxheri, Armend Demoli thotë se fabrikës nuk i intereson përkatësia etnike e punëtorëve, por cilësia e punës që ata bëjnë.
“Nga ata (punonjësit) na duhet vetëm puna e tyre. Kombësia që i përket çdo punëtori nuk na intereson. Ne jemi të interesuar për performancën e tyre në punë. Nëse performanca e tyre është në rregull, ne jemi në rregull me secilin prej tyre, pavarësisht kombësisë së tyre”, tha zoti Demolli.
Zvezdan Aleksiç, punon në fabrikën e tullave për gati 17 vjet. “Nuk ka probleme mes nesh. Jemi në shoqërinë e njëri-tjetrit, punojmë bashkë. Politika nuk na intereson. Kjo eshte e gjitha”, tha zoti Aleksiç.
Nënkryetarja serbe e Kamenicës, Alesandra Jovanoviç, thotë se komuna është shembull e bashkëpunimit ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve.
“Këtu është një vend shumë etnik ku jetojnë së bashku njerëzit e çdo gjuhe, grupimi dhe tradite. Dua të them se komuna e Kamenicës është shumë specifike”, tha ajo.
Zyrtarë të komunës së Kamenicës thonë se respekti i dyanshëm ndëretnik gjithmonë ka ndihmuar në jetën e qytetarëve dhe bashkëpunimin ndërmjet tyre. /VOA






