Vuçiç: Është e rëndësishme të kryhet hetim pas sanksioneve amerikane kundër Vulinit
Presidenti serb Aleksandër Vuçiç tha se “është jashtëzakonisht e rëndësishme të kryhet një hetim” ndaj drejtorit të Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit (BIA), Aleksandar Vulin, pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën sanksione kundër tij.
Ai tha se për sanksionet ndaj Vulinit dhe qëndrimin e Serbisë do të flasë “nesër, në detaje”.
“Vulin, ndaj tij nuk janë vendosur sanksione për ndonjë krim, korrupsion, asgjë; ndaj tij janë vendosur sanksione për shkak të qëndrimit të tij ndaj Federatës Ruse”, tha Vuçiq.
Një pjesë e opozitës në Serbi kërkoi shkarkimin e Vulin pas sanksioneve amerikane.
Vulin, presidenti i Partisë Socialiste, e cila është një partner koalicioni i Partisë Progresive Serbe në pushtet, u vendos në krye të Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit në dhjetor të vitit 2022.
Drejtorin e Agjencisë e emëron dhe e shkarkon Qeveria.
Ish-bashkëpunëtor i Mirjana Markoviqit, gruas së Slobodan Milosheviqit, ai është sot partner koalicioni i Partisë Progresive Serbe në pushtet.
Më 10 maj, Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë, ku shpreh shqetësimin për emërimin e Vulin në krye të BIA-s, i cili në tekstin e rezolutës përshkruhet si një person “i njohur për retorikën e tij kundër BE-së dhe pro-Kremlinit”.
Vulin është i njohur për publikun e gjerë, për retorikën e tij të ashpër ndaj fqinjëve të tij në rajon dhe miqësinë e tij ndaj Rusisë.
Në një nga kritikat e fundit kundër tij, ambasadat e Ukrainës dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, si dhe BE-ja, kritikuan pjesëmarrjen e Vulinit në konferencën ndërkombëtare të sigurisë në Moskë, në maj të këtij viti./REL
