"Të zhdukurit, BE s'po bën detyrën" Hoti: Vuçiç nuk kthen përgjigje, BE të marrë masa

Deklarata për të Zhdukurit e miratuar më 2 maj në Bruksel, nuk po gjen zbatim nga pala serbe. Kryesuesi i Komisionit, Andin Hoti tregon se letra që i ka dërguar presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, ka mbetur ende pa përgjigje.

Ai i bën thirrje Bashkimit Evropian të marrë masat ndaj Beogradit për mos respektim të asaj që ka firmosur

2 muaj pas nënshkrimit mes Serbisë dhe Kosovës për hapjen e arkivave për gjetjen trupave të pajetë të mijëra qindra personave që rezultojnë të zhdukur, marrëveshja nuk ka gjetur zbatim.

Pavarësisht kërkesave të shpeshta drejtuar presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur Andin Hoti thotë se nuk ka marrë një përgjigje.

“Unë çfarë kam bërë ka qenë vetëm implementimi i kësaj deklarate. Unë kam kërkuar, i kam shkruar një letër presidentit të Serbisë, Vuçiçit dhe i kam kërkuar që të hapë këto arkiva. Dhe i kam specifikuar në mënyrë që të mos bëjë lojëra politike, siç vazhdon të bëjë ai, i kam specifikuar. Sepse, ky ka qenë vetëm fillimi, nuk jemi fokusuar vetëm një, i kam specifikuar edhe cilin lloj të arkivave. Të Brigadës 37 që ka qenë publike, është klasifikuar gjatë luftës, është riklasifikuar disa vite më parë. Ka qenë temë diskutimi mes Natasha Kandiqit dhe shumë akterëve të tjerë ndërkombëtarë. Në një formë ia kam lehtësuar punën që vetëm ai duhet t’i japë, sepse ai nuk mund ta mashtrojë askënd që nuk i ka, diçka që ka qenë publike. Por, fatkeqësisht nuk kam marrë asnjë përgjigje, as nga zotëri Vuçiç por nga askush në Serbi”, deklaron ai.

Për këtë, Hoti fajëson edhe Bashkimin Evropian, që nuk po kushtëzon Serbinë për implementim të marrëveshjes.

“Por fatkeqësia më e madhe në këtë rast është nga Bashkimin Evropian, sepse ata kanë qenë ndërmjetësues të deklaratës dhe kemi pasur një afat kohor kur është dashur të kryhet dhe të themelohet komisioni i përbashkët i kryesuar prej BE-së. Por, ne jo vetëm që nuk e kemi themeluar, ne i kemi dërguar imputet tona si Kosovë, por BE nuk na ka lajmëruar më se çfarë do të ndodhë me atë komision. Fokusi është tashmë në Mitrovicë dhe në problemet e serbëve që po i bëjnë atje, por fatkeqësisht po ndikon shumë edhe në procesin tonë. Sepse, ne e kemi ditur që Serbia nuk na i jep, heziton të na jap këto informacione, por kemi shpresuar prej Bashkimit Evropian që është serioz në këtë aspekt dhe bën një kushtëzim ndaj Serbisë dhe i marrim (informacionet) nga arkivat dhe ne nuk po shohim asnjë kushtëzim”, shton ai.

Udhëheqësi i delegacionit të Kosovës për bisedime me Serbinë për çështjen e personave të pagjetur, Andin Hoti ka bërë me dije gjithashtu se  shumë shpejt do të finalizohet Ligji për Personat e Zhdukur.