Parlamenti Evropian: Sanksione kundër liderit serb Dodik

Parlamenti Evropian i ka bërë thirrje BE-së të vendosë sanksione kundër liderit serb, Milorad Dodik, presidentit të Republikës Srpska, një entitet me shumicë serbe në Bosnje-Hercegovinë, i cili tashmë është subjekt i sanksioneve të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe dhe aleatëve të saj.

Në një notë të përbashkët kryetari i Komisionit për Punët e Jashtme të Parlamentit Evropian, David McAllister, raportuesi për Bosnje-Hercegovinën, Paulo Rangel dhe shefi i delegacionit parlamentar për marrëdhëniet me Bosnje-Hercegovinën dhe Kosovën, Romeo Franz i bënë thirrje Bashkimit Evropian të ndërmarrë urgjentisht një veprim.

Eurodeputetët dënuan me vendosmëri miratimin e ligjit për moszbatueshmërinë e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnje-Hercegovinës, nga Asambleja Kombëtare e RS, duke e konsideruar si një sulm të drejtpërdrejtë ndaj rendit kushtetues të Bosnje-Hercegovinës, dhe shkelje të qartë të Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit.

Vendet anëtare të BE-së mirëpresin vendimin e përfaqësuesit të lartë për Bosnje-Hercegovinën, Christian Schmidt, për t’i revokuar këto ligje dhe për të prezantuar amendamentet në kodin penal boshnjak, në mënyrë që t’u japë forcave të policisë dhe autoriteteve kompetente gjyqësore mjetet për të vepruar në mënyrë adekuate, në përpjekjet për të minuar rendin kushtetues të vendit.

“BE-ja duhet të ndërmarrë urgjentisht një veprim të mëtejshëm, i cili nuk mund të kufizohet nga vendimet e përfaqësuesit të lartë”, thanë eurodeputetët.

“Besueshmëria e BE-së është në rrezik”, paralajmëruan eurodeputetët, të cilët theksuan nevojën për të mbështetur të ashtuquajturin “Marrëveshja e Dejtonit: një marrëveshje paqeje për Bosnje-Hercegovinën”, me iniciativa specifike të tyre.

“Nuk mund të lejojmë më një secesionist flagrant dhe pasuesit e tij, qoftë edhe në parlamentin e entitetit, të minojnë sistematikisht vendin dhe të ardhmen e tij brenda Europës dhe të rrezikojnë paqen dhe stabilitetin”, shtuan ata.

“Ne ia kemi borxh Bosnje-Hercegovinës, qytetarëve të saj, rajonit dhe vetes sonë”, sipas deklaratës së tyre.