OKB evidenton Bjellorusinë si shkelëse të të drejtave të njeriut
Bjellorusia, shteti aleat i Rusisë, është evidentuar nga një raport i OKB-së si shkelëse e të drejtave të njeriut. Sipas të dhënave me mijëra të burgosur politikë po keqtrajtohen, ndërsa kontrolli i ashpër i Lukashkenkos ka përfshirë cdo sistem, duke mbjellur frikë.
Liria është e kufizuar në Bjellorusi. Regjimi i liderit Aleksandër Lukashenko po pastron me forcë zërat kundërshtues, duke mos përjashtuar as fëmijët, të cilëve u censuron shprehjen dhe mendimin.
Në këtë konkluzion doli raportuesja speciale e OKB-së Anaïs Marin, e cila dha paralajmërimin se situata është e rëndë dhe sa vjen e po përkeqësohet më tej.
Sipas gjetjeve të saj, më shumë se 1,500 njerëz në Bjellorusi janë nën arrest për arsye politike, me një mesatare prej 17 arrestimesh arbitrare në ditë, që kryesisht u shtuan pas vitit 2020, të cilët mbahen në kushte të papërshtatshme.
“Kam arsye të forta të besoj se kushtet e paraburgimit janë ashpërsuar qëllimisht për të dënuarit për arsye politike, duke i vendosur në qelitë disiplinore pa arsye," - tha ajo.
Gjithashtu në raport thuhet se mbrojtësit e të drejtave të njeriut po përballen me persekutim të vazhdueshëm.
Më shumë se 1,600 "organizata të padëshiruara janë shpërbërë me forcë, duke përfshirë të gjitha sindikatat e mbetura të pavarura. Kjo ilustron një politikë të qëllimshme të shtetit për të spastruar hapësirën qytetare nga elementët e tij të fundit disidentë”, vazhdoi Marin.
Të goditura nga sistemi i Lukashenkos janë edhe mediat e pavararua, të cilat cilësohen edhe si organizata ekstremiste, ndërsa nxënësit e arsimit fillor apo të mesëm po iu imponohen ideologji të kontroluara që synon dekurajimin e shprehjes së mendimeve të tyre.
Anaïs Marin i tha Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut se kjo situatë e njohur edhe më herët, dëshmon mospërfilljen e jetës dhe dinjitetit njerëzor dhe po nxit një klimë frike tek viktimat e këtij sistemi.