Siguria në shkolla, kush ka qenë me precedentë ndaj të miturve nuk punon më në arsim

Personat që kanë qenë të dënuar për keqtrajtim seksual ndaj të miturve nuk do të kenë më mundësi të punësohen në institucionet arsimore pavarësisht rehabilitimit.

Ky ligj është miratuar në parlament por për ekspertët e arsimit një gjë e tillë duhej të parandalohet që në rekrutimin e stafit ku çdo aplikant nuk duhet të ketë njollë në biografi para se të punësohet në institucionet arsimore.

Nxjerrja me ligj jashtë arsimit e personave me rekorde penale për eksperten Irsa Ruçi ishte për politika të ditës, pasi sipas saj persona të tillë as nuk mund të mendohet të jenë pjesë e sistemit.

Ish drejtorja e Shërbimit Kombëtar për Rininë në Ministrinë e Arsimit, kërkon vëmendje të shtuar për procesin e përzgjedhjes së mësuesve dhe punonjësve të tjerë në Arsim.

Vlerëson se duhet ti kushtohet më shumë rëndësi integritetit të personit që do të punojnë me fëmijët.

Ndryshimet ligjore për përjashtimin nga sistemi arsimor të të dënuarve për krime ndaj fëmijëve erdhi pas denoncimit të disa rasteve tronditëse të ngacmimeve dhe abuzimeve seksuale në shkolla.