PAMJE të rënda/ Nëna tenton të mbysë fëmijën e saj në vaskë, shpëtohet nga policia

Një nënë nga Michigan u arrestua nga policia pasi u përpoq të mbyste një nga fëmijët e saj në vaskën e tyre.

Momenti i sulmit si dhe shpëtimi i fëmijës 2-vjeçar nga policia është regjistruar nga një kamerë e mbajtur nga një punonjës policie.

Konkretisht, Policia e Shtetit të Miçiganit të shtunën në mëngjes u thirr në një shtëpi në Albion rreth orës 10:30. Personi që iu përgjigj thirrjes 911 tha se dëgjonte fëmijët që bërtisnin për ndihmë, ndërsa policia që nxitoi në vendngjarje tha se kishte dëgjuar thirrje nga brenda shtëpisë kur mbërritën.

Pas goditjes me shkelma në derë, ata thanë se gjetën një grua 35-vjeçare, emri i së cilës ende nuk bëhet i ditur, duke mbajtur nën ujë në vaskë fëmijën e saj 2-vjeçar. Oficerët morën fëmijën dhe i dhanë ndihmën e parë derisa i vogli arriti të merrte veten.

Sipas policisë, gruaja është nënë e katër fëmijëve, me fëmijë nga mosha 2 deri në 15 vjeç, të cilët ishin të gjithë të pranishëm në shtëpi në atë moment. Në fakt telefonata ishte bërë nga njëri prej vëllezërve të 2-vjeçarit.

Gjithashtu, fëmija 2-vjeçar, i cili ishte viktimë e tentativës për mbytje, ka marrë plagë me thikë në gjoks dhe qafë , ndërsa vëllai i tij 4-vjeçar ka pasur të prera në trup. Hetuesit gjithashtu besojnë se dy fëmijët më të vegjël, së bashku me nënën e tyre, mund të kenë gëlltitur lëng pastrimi, tha policia.

Nëna u arrestua dhe u dërgua në spital, ndërsa fëmijët u dërguan në një spital tjetër në një qytet aty pranë.