Shpërndante kokainë në zona të ndryshme në Korçë, arrestohet 38-vjeçari (EMRI)

Policia e Korçës ka vënë në pranga 38-vjeçarin Joan Duda, për shitje të lëndëve narkotike.

Uniformat blu bëjnë me dije se 38-vjeçari kishte përgatitur lëndën narkotike gati për shitje.

Gjithashtu theksohet se janë sekuestruar dozat e kokainës, mjete për ndarjen e lëndës narkotike në doza dhe shuma parash në valuta të ndryshme të përfituara nga kjo veprimtari kriminale.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Korçë, në vazhdën e operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike, organizuan dhe finalizuan me mbështetjen e inteligjencës policore, operacionin policor të koduar “Night sales 3”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi:

– J. D., 38 vjeç, banues në fshatin Libonik, Maliq.

Gjatë kontrolleve të ushtruara, 38-vjeçarit iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë, e ndarë në dhjetëra doza, që dyshohet se sigurohej nga ky shtetas, me qëllim shitjen. Sasia e lëndës narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me disa mjete (gëshërë dhe qese plastike) që shërbenin për ndarjen e lëndës narkotike në doza dhe me shuma parash në valuta të ndryshme të dyshuara të përfituara nga shitja e dozave të kokainës.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.