Akademia e Shkencave: Qosja, gjithnjë në paraprirje të proceseve më përparimtare të botës shqiptare
Në 87-vjetorin e lindjes, Akademia e Shkencave uroi akad. Rexhep Qosja.
Sipas Akademisë së Shkencave, jeta dhe veprimtaria e akad. Rexhep Qoses, është e mbushur me veprimtari të shumanshme e të pandërprerë, më shumë se gjysmëshekullore, si studiues e si shkrimtar, si protagonist i zhvillimeve kombëtare në Kosovë e në Shqipëri, si dijetar e mendimtar, gjithnjë në paraprirje të proceseve më përparimtare të botës shqiptare.
“Studiues i historisë së letësisë, njohës i çështjes shqiptare, romancier e dramaturg, eseist, polemist, pjesëmarrës në Konferencën e Rambujesë, figurë politike dhe politolog, si dhe drejtor i Institutit Albanalogjik në Prishtinë për një kohë të gjatë; janë kontribute intelektuale që kanë kthyer veprën e tij në një referencë të rëndësishme të botës mbarëshqiptare”, thuhet në mesazhin e Akademisë.
Historia e letërsisë shqipe, historia e kulturës kombëtare, historia e çështjes shqiptare, kanë gjetur në veprën e tij një mendje të mprehtë dhe një kurajë të fortë, që i ka përshkuar vitet e dekadat me koherencë e devotshmëri.
