Amaneti i gjyshes: Një strehë për nipërit!/ Remzie Tetuli, apel Bashkisë Kamëz për banesë sociale
70-vjeçarja Remzie Tetuli bën thirrje bashkisë Kamëz për një banesë sociale. Ajo thotë se nuk e do për vete, por për nipërit e saj, të cilët i rriti që në moshë të vogël e dëshiron që edhe ata të gëzojnë një strehë të tyren.
Kjo është Remzie Teluli, 70 vjeçe…
E vetme kujdeset për nipin 16-vjeçar dhe mbesën 18, të cilët i rriti që prej moshës 4 vjeç.
Ajo thotë se që kur nëna e tyre i braktisi është përpjekur që të mos u mungojë atyre asgjë.
Madje, edhe pse në moshë të thyer tregon se del që të mbledhë bidona për të siguruar pak të ardhura.
“Ka 15 vite që kam ardhur në Tiranë. Gjatë ditës mbledh nëpër kazana, bëj dhe punët e shtëpisë”, thotë ajo.
Jeton në zonën e Babrrusë në një shtëpi ku me pensionin që merr paguan qiranë.
“Vetëm marr 92 mijë lekë të çunit që është invalid, djali i madh pra, dhe babai i fëmijëve të vegjël. Dhe marr edhe 120 mijë lekë pension. Kjo është ndihma e shtetit. Më kanë ndihmuar njerëzit këtu, qoftë bekuar Babrruja, sepse më kanë ndihmuar të gjithë”, shprehet ajo.
Thotë se shpesh i është drejtuar zyrës së bashkisë Kamëz për ndihmë.
I kanë premtuar që do t’i sigurojnë një banesë sociale …
Pikërisht streha e munguar për nipin e mbesën që i ka rritur vetë, është pengu më i madh i saj, e për këtë kërkon ndihmë nga kryebashkiaku i Kamzës, Rakip Suli, që t’i sigurojë një shtëpi sociale.
“Unë kam nevojë që të siguroj dy fëmijët e djalit. Nesër po të vdes unë, ku do i lë ata. Pa shtëpi, rrugave? Nuk kanë as babë dhe as nënë. Unë jam me ilaçe zemre vetë, gjynah për ata jetima”, shprehet gjyshja.





