Ekspozohet armatimi i konfiskuar, Sveçla: Dy organizata në veri të shpallen terroriste
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka akuzuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili siç ka thënë ai, përmes grupeve kriminale po synon ta destabilizojë Kosovën. Për armatimin e konfiskuar në Zveçan, ministri Sveçla ka thënë se ka pasur për qëllim realizimin e sulmeve terroriste. Po ashtu, ai ka deklaruar se do t’i kërkojë Qeverisë së Kosovës që organizatat “Mbrojtja civile” dhe “Severna brigade” të shpallen terroriste.
Gjatë konferencës së jashtëzakonshme për gazetarë, që është mbajtur sot në kampin “Belvedere” në Mitrovicë, ministri Sveçla ka thënë se arrestime të shumta janë realizuar, duke vënë në pranga kriminelë, të cilët në të kaluarën janë toleruar dhe amnistuar.
Ai është shprehur se nuk do të të zbrapsen siç ka thënë ai, ndaj kriminelëve.
“Që nga paslufta Republika e Kosovës ka vijuar të përballet me agresionin e Beogradit zyrtar, posaçërisht kohët e fundit, dora e zgjatur e tyre ka intensifikuar sulme terroriste ndaj policisë së Kosovës, veturave të tyre, stacioneve policore, pjesëtarëve të KFOR-it, Eulex-it, si dhe gazetarëve, deri tek brutaliteti ndaj qytetarëve tanë në veri të vendit…Duke marrë shkas nga këto akte kundër ligjit, ne kemi intensifikuar punën për të siguruar qetësi dhe ambient të sigurtë për të gjithë qytetarët, në mënyrë që të parandalojmë tentativat për eskalim të situatës dhe cenim të rendit, sigurisë dhe sovranitetit të vendit tonë. Arrestime të shumëta janë realizuar duke vënë në pranga kriminelë, të cilët në të kaluarën për vepra të ngjajshme janë toleruar dhe janë amnestuar…Andaj, të gjitha këto veprime policore, të cilat po ndodhin, arrestimet, të cilat po bëhen, dëshmojnë se ne nuk mund të zbrapsemi ndaj kriminelëve dhe qëndrojmë të angazhuar në zbardhjen e të gjitha sulmeve dhe ruajtjen e të gjithë qytetarëve pa dallim”, ka thënë ai.
Sveçla ka folur edhe për armatimin e sekuestruar mbrëmë në Zveçan, për të cilin ka thënë se pajisjet kanë pasur për synim realizimin e sulmeve terroriste.
Po ashtu, ai ka thënë se do të kërkojë nga Qeveria e Kosovës që organizatat “Mbrojtja civile” dhe “Severna brigade” të shpallen organizata terroriste.
“Ditën e djeshme, veprimet profesionale dhe puna serioze e policisë së Kosovës dhe AKI-së shmangen një sulm të organizuar terrorist ndaj Republikës së Kosovës… Mbrëmë u identifikua një makinë me targa të Berogradit, rreth 100 metra larg komunës së Zvecanit, në të cilën janë zbuluar sasi të mëdha të armatimit, mjeteve eksplozive dhe municioneve të ndryshme, përfshirë zola, osa, eksplozivë, armë automatike, sasi e konsiderueshme e municionit, shok bomba dhe canta ushtarake… Këto mjete kishin për qëllim realizimin e sulmeve terroriste ndaj qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës. E gjithë kjo është edhe një dëshmi e radhës që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq përmes grupeve dhe organizimeve të tilla synon ta destabilizojë vendin tonë. Po ashtu, ditët në vijim unë do të kërkoj nga Qeveria e Kosovës që organizatat ‘Mbrojtja civile’ dhe ‘Severna brigada’ të shpallen organizata terroriste, me çka lufta ndaj këtyre organizatave do të jetë edhe më efikase”, ka thënë ai.
Ndërsa, drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, duke shpalosur detaje të operacionit, ka numëruar të gjitha ato armë e municione, të cilat janë gjetur në veturën “Audi” me targa të Beogradit.
“Vetura Audi është sekuestruar, si dhe gjësendet e gjetura në veturë janë si në vijim, nëntë zola, dy lansues, dy osa, një predhë e minahedhësit, 21 granata dore, 20 predha të tromblonit, dy mbushës të barutit, 10 armë të gjata automatike, një revole, një shurdhues i armëve, 51 karikatorë të armëve të gjata, pesë karikatorë të armëve të shkurta, 5 mijë e756 fishekë të kalibrit të ndryshëm, 18 koktej molotovi, 17 mjete piroteknike, 14 mete tymuese, 5 thika ushtarake, 11 jelekë antiplumb dhe statik, 9 uniforma ushtarake, një palë dylbi, dy maska pambuku për kokë, një maskë kundër helmeve dhe gazërave, një dyshek ushtarak për nevoja të snajperistëve, 19 emblema të ‘severna brigadës’, një telefon ajror me sim kartelë dhe numër, tre radiolidhje dhe mbushës poashtu, si dhe një sasi e narkotikëve”, ka thënë ai.
