Rritet taksa mbi banesën/ Vlera do të përcaktohet mbi çmimin e tregut dhe jo nga harta e referencës
Taksa mbi banesën dhe tokën do të jetë më e lartë nga sa është aktualisht. Qeveria do të vendosë se vlera nuk do të llogaritet më mbi bazën e çmimit të referencës së pasurisë, por mbi vlerën e tregut. Deklaratën e ka bërë ministrja e financave Delina Ibrahimaj në prezantimin e draftit
Qeveria do të ndryshojë sistemin e taksës në banesë. Në prezantimin e projektit në Universitetin Bujqësor, ministrja e financave theksoi se qëllimi do të jetë dhe vjelja e pagesave jo vetëm për shtëpitë por edhe për tokën.
Baza që do të paguhet nuk do të jetë mbi çmimin e referencës.
"Propopzojmë të kalojmë nga një taksim në bazë të çmimeve të referencës në një taksim i cili merr parasysh çmimet e tregut që në fakt është praktika ndërkombëtare," tha Ibrahimaj.
Por po ashtu do të ketë disa kategori që përjashtohen nga pagesa, ku më të favorizuar duket se do të jenë fermat e reja.
"Ligji ka dhe detaje se kush janë kategoritë që do të subvencionohen nga ligji pasi ka kategori që kanë paaftësi në pagesë. Sa i takon taksës që do të jetë për sektorin bujqësor, për tokat bujqësore apo pyjore ka disa incentiva që lidhen me vitet e para të prodhimit që ne të bëjmë të mundur të nxisim mbjelljen, prodhimin," tha ajo.
Në shqipëri të ardhurat nga taksa e pronave përbëjnë 0.3 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ndërsa në rajon dhe në vendet e be është disa herë më e lartë.
