FOTO/ Tensionet në Leposaviç, kreu shqiptar i Komunës shikon situatën nga dritarja
Kryetari i Komunës së Leposaviçit, Lulzim Hetemi, ka 16 ditë që ka mbetur i ngujuar në objekt të Komunës. Këtë mëngjes ai është parë në një prej dritareve të objektit teksa e vëzhgon situatën në oborrin e Komunës, me serbët lokalë që vazhdojnë protestën dhe KFOR-in e Policinë që kujdesen për sigurinë.
Sot Hetemi ka pritur në vizitë ministrin e Infrastrukturës, Liburn Aliu, i cili në përpjekjen e parë gjatë ditës së premte, ishte kthyer mbrapsht.
Hetemi gjatë ditës së diel ka marrë edhe një telefonatë nga kryeministri Albin Kurti, teksa siç ka treguar shefi i Qeverisë gjatë bisedës të dy kanë treguar shqetësimin për njëri-tjetrin se mos po dorëzohet njëri apo tjetri.
“E thirra në telefon dhe bisedova me kryetarin e komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi. Të them të drejtën kur e thirra kisha një brengë se mos është mërzitur aty në zyrë se u bënë shumë javë.
Unë teksa isha i brengosur se mos është mërzitur ai, ai ishte i brengosur mos jam mërzitur unë. Kështu që unë i shqetësuar se mos po lëshon pe ai, e ai i shqetësuar se mos po lëshoj pe unë , prandaj biseda në vazhdim ishte shumë e këndshme”, ka deklaruar Kurti, raporton Express.



