Albin Kurti pret në takim ambasadorët e QUINT-it

Ka përfunduar takimi i ambasadorëve të shteteve të QUINT-it me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.

Takimi ndodhi një ditë pasi ambasadorët e QUINT-it nuk shkuan në pritjen zyrtare të organizuar nga presidentja Vjosa Osmani për të festuar 12 qershorin, Ditën e Çlirimit të Kosovës.

Kryeministri Kurti pritet të dalë sot në orën 11:00 në konferencë për media, ndërkohë nuk dihet nëse gjatë ditës së sotme do të arrihet ndonjë marrëveshje për situatën në Veri mbi bazën e kërkesave të SHBA-së dhe BE-së.

Ditën e djeshme kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Kosova qëndron prapa vlerave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, megjithatë tha se rruga për qetësimin e situatës në katër komunat veriore duhet të nisë me largimin e siç i quajti ai, bandave kriminale atje.

“Rruga përpara për qetësim dhe për normalizim nënkupton ndalimin e menjëhershëm të dhunës nga bandat kriminale para objekteve të komunës ndaj zyrtarëve të Policisë, ndaj ushtarëve të NATO-s, ndaj gazetarëve dhe ndaj kryetarëve të komunave”, deklaroi Kurti.