Kurti: S’kam marrë kurrfarë ultimatumi nga ndërkombëtarët, nuk zgjidhet asgjë me trysni

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se nuk ka marrë asnjë ultimatum nga ndërkombëtarët sa i përket situatës në veri e se gjërat nuk mund të zgjidhen me trysni apo përmendje pasojash.

Ai ka thënë se në takim me të dërguarin e posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe emisarin e BE-së për dialogun mes Kosovës e Serbisë, Miroslav Lajçak, u ka ofruar mënyrën e sigurt për të dalë nga kriza në veri, të cilën ka thënë se e kanë shkaktuar strukturat ilegale të Serbisë.

“Nuk kam marrë kurrfarë ultimatumi, ne u takuam bashkëbiseduam me emisarët dhe unë kam ofruar mënyrën e sigurt se si të kemi një dalje të qëndrueshme nga kriza në veri të Kosovës e shkaktuar nga strukturat ilegale...E para është sundimi i ligjit, kemi me dhjetëra ushtarë të NATO-s, policë të Kosovës dhe gazetarë që ishin viktima të një egërsie të paparë të ekstremistëve të dhunshëm”, ka theksuar Kurti.

“Nuk mendoj që këto gjëra zgjidhen me trysni e me përmendje pasojash e ndoshta edhe sanksionesh të shtetit më demokratik edhe më progresist në Ballkanin Perëndimor, unë jam i bindur që do të mund t’i sqarojmë paqartësitë, kemi sfida me emisarët edhe evropianë edhe amerikanë, por marrëdhëniet tona bilaterale me BE-në dhe SHBA-në janë të shkëlqyeshme, kur vjen emisari amerikan apo evropian si ndërmjetësues atëherë këtu nuk është në pyetje Evropa apo Amerika, është në pyetje raporti me Serbinë”, ka thënë tutje Kurti.