Escobar dhe Lajçak mbërrijnë për takimin me Kurtin

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkan, Gabriel Escobar, kanë mbërritur në ndërtesëen e Qeverisë për t’u takuar me kryeministrin Albin Kurti.

Vizita e tyre ka si qëllim të gjejë një zgjidhje për të dalë nga situata aktuale e tensionuar në veri, e cila rrezikon të dëmtojë gjithë atë që BE-ja e konsideron si sukses në dialog. Ata përveç takime me drejtues të institucioneve në Prishtinë, pritet ta vizitojnë edhe veriun e vendit.

BE në një deklaratë për media, ditë më para theksoi se qetësia duhet të rivendoset urgjentisht.

“Bashkimi Evropian është i gatshëm të zbatojë masa të vendosura. Dështimi për të de-përshkallëzuar tensionet do të çojë në pasoja negative. Presim që Kosova të veprojë në mënyrë jo de-përshkallëzuese dhe të pezullojë menjëherë operacionet policore në afërsi të ndërtesave komunale në veri të Kosovës. Kryetarët e komunave duhet t'i kryejnë përkohësisht detyrat e tyre në objekte të tjera përveç ndërtesave komunale. Zgjedhjet e parakohshme duhet të shpallen sa më shpejt në të katër komunat dhe të organizohen në mënyrë plotësisht gjithëpërfshirëse. Presim që serbët e Kosovës të marrin pjesë në këto zgjedhje. Ne shprehim shqetësimin për gjendjen e gatishmërisë më të lartë të Forcave të Armatosura Serbe. Bashkimi Evropian pret që Kosova dhe Serbia të veprojnë me përgjegjësi dhe të angazhohen menjëherë në Dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për situatën në veri të Kosovës që garanton mbrojtje, siguri dhe demokraci me pjesëmarrëse për të gjithë qytetarët, dhe hap rrugën për zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksit të saj. Kjo përfshin fillimin pa ndonjë vonesë apo parakusht të mëtejshëm të punës për themelimin e Asociacionit së Komunave me Shumicë Serbe”, thuhet në deklaratë.

Prej 26 majit, serbët lokalë të komunat veriore – Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – janë duke protestuar për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale. Më 29 maj, situata është përshkallëzuar në Zveçan, pas përplasjes së protestuesve serbë me pjesëtarë të KFOR-it.

Për pasojë janë plagosur 30 pjesëtarë të forcës paqeruajtës, si dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës. Gjatë protestave janë dëmtuar dhe djegur automjete të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe mediave.

Vetë shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, e ka dënuar rëndë dhunën ndaj pjesëtarëve të KFOR-it. Dhuna e ka nxitur NATO-n që të angazhojë 700 trupa shtesë në Kosovë, përveç 4.000 trupave që veçse janë në vendin tonë. Faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje të vazhdueshme për marrjen e hapave drejt uljes së tensioneve.