Zgjedhjet e reja në veriun e Kosovës? KQZ: Jemi të gatshëm për të kryer detyrat tona
Ende pa u bërë dy muaj nga procesi i 23 prillit, zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat e veriut të Kosovës, kanë filluar të diskutohen në nivelet e larta shtetërore.
Nëse kjo do të ndodhë, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka bërë të ditur për KosovaPress, se KQZ-ja, është e gatshme për të kryer detyrat e veta që dalin nga Kushtetuta e Kosovës.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, si institucion i përhershëm kushtetues, e ka për detyrë kryesore organizimin e zgjedhjeve kurdo që ato shpallen. Si çdoherë, ashtu siç kemi thënë edhe në të kaluarën, KQZ-ja është e gatshme për të përmbushur detyrat që dalin nga Kushtetuta dhe ligjet në fuqi”, tha Elezi.
I pyetur për mundësinë që në këto zgjedhje eventule, Misioni i OSBE-së në Kosovë të marrë rol ndihmues për KQZ-së, Elezi ka thënë se ky institucion nuk i komenton zhvillimet politike, ndërsa i pyetur se a është ndihmuar KQZ-ja, në organizimin e zgjedhjeve të fundit, ai ka dhënë këtë përgjigje:
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk i komenton zhvillimet politike. KQZ-ja ka dëshmuar se është institucion i cili përmbushë detyrat kushtetuese. Prej disa proceseve zgjedhore, që nga viti 2020, KQZ-ja, si institucion i vetëm, ka realizuar me sukses detyrat edhe në këto katër komuna. Andaj, si KQZ, ashtu siç kemi bërë edhe në të kaluarën, shprehim gatishmërinë për të kryer detyrat tona”, tha Elezi.
