Hovenier: S’ka pasur sanksione ndaj Kosovës, por vetëm disa pasoja për gjendjen në veri

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, pas takimit të sotëm me kryeministrin Albin Kurtin deklaroi se është urgjente de-eskalimi i situatës në veri.

Ai diskutimin me Kurtin e cilësoi si të mirë dhe produktiv, por tha se nuk ka mundur t’ia ndërrojë mendjen që tre kryetarët e zgjedhur në veri mos të ushtrojnë detyrat në objektet komunale.

Gjithashtu, Hovenier tha se kjo situatë po e pengon edhe marrëveshjes bazë Kosovë-Serbi dhe aneksin e zbatimit të tij.

 “Unë përsërita dhe ripërsërita pikëpamjen e qeverisë së Shteteve të Bashkuara, të shprehur së fundi nga Sekretari Lincoln, për nevojën e një sërë hapash urgjente për të de-përshkallëzuar situatën atje. Ajo që ne besojmë se do të arrin de-përshkallëzimin nuk është sekret, pra kjo është duke rënia në dakord që këta tre kryetarë komunash të punojnë nga lokacione alternative dhe tërheqja e policisë së Kosovës nga tri ndërtesat komunale. Ne folëm gjithashtu për rëndësinë e ecjes përpara me zbatimin e marrëveshjes bazë dhe aneksin e zbatimit të saj për normalizimin e avancuar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe ndava shqetësimet e mia se situata në veri po e pengon shumë atë përpjekje, të cilën ne duam ta shohim të lëvizë përpara, ky pra ishte diskutimi ynë. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të inkurajojnë Qeverinë e Kosovës në mënyrë aktive dhe aq efektive sa të mundemi për të ndihmuar në arritjen e de-përshkallëzimit dhe siç i keni parë deklaratat tona publike, ne po kërkojmë gjithashtu që Qeveria e Serbisë të ndërmarrë hapa, të ndihmojë të arrihet një situatë më e mirë edhe në veri të Kosovës”, tha ai.

Hovenier shtoi se ShBA-ja po mendon se çfarë mjete të tjera ka për ta inkurajuar Qeverinë e Kosovës që ta qetësojë situatën në veri.

“Nuk do të thosha se kam mundur të ndryshoj qëndrimin e kryeministrit të cilin ai e ka shprehur shumë publikisht. Unë do të them se kemi pasur një diskutim të mirë. Megjithatë, më duhet të përsëris pikëpamjen e Shteteve të Bashkuara për atë që duhet të ndodhë, që është se ne nuk e shohim nevojën në këtë moment që këta tre kryebashkiakë të punojnë nga ato ndërtesa dhe nuk besojmë se do të jetë e favorshme për stabilitetin dhe sigurinë në rajon tani për policinë e Kosovës që t'i sigurojë ata”, deklaroi ai.

Krahas këtyre, Hovenier, tha se s’ka pasur sanksione ndaj Kosovës dhe nuk dëshiron të përdorë atë fjalë, por vetëm disa pasoja për shkak të situatës aktuale.

Ai shtoi se shpreson që kjo situatë të kalojë në mënyrë që të mos ketë më pasoja, teksa refuzoi të përgjigjet se çka do të ndodhte sikur Kurti të mos ndërronte mendje.