Kurti për protestuesit në veri të Kosovës: Ekstremistë të dirigjuar nga Beogradi zyrtar

Kryeministri Albin Kurti, vlerësoi se protestat në veri nuk kane qenë paqësore por janë turma ekstremistësh të dirigjuara nga Beogradi zyrtar.

Këto komente Kurti i ka bërë në prani të ambasadorëve të QUINT-it të cilët i ka pritur pasditen e së hënës e për të cilën së fundmi ka pasur një komunikatë edhe nga Qeveria e Kosovës.

“Grafitet nacionaliste shoviniste serbe dhe aso pro-Kremlinit me ekstremistë të maskuar, që targetojnë, vandalizojnë dhe sulmojnë çdo gjë jo-serbe, është treguesi kryesor i motiveve prapa veprimeve të dhunshme, e të cilat duhet të dënohen ashpër nga të gjithë”, thuhet në komunikatë.

Duke i informuar për gjendjen në veri dhe zhvillimet e sotme atje, kryeministri -vijon komunikata- theksoi rëndësinë dhe nevojën për de-eskalimin e situatës, si dhe shprehu gatishmërinë për të punuar me shtetet e QUINT-in drejt këtij qëllimi.

Ata thuhet se janë dakorduar që të mbajnë komunikim të dendur orëve dhe ditëve në vijim.

Bashkë me Kurtin, në takim me ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ka qenë edhe zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi.