QUINT-i kërkon që kryetarët e zgjedhur në veri të mos shkojnë në ndërtesat e Komunës
Ambasadorët e QUINT-it janë takuar më kryeministrin Albin Kurti pasditen e së hënës në objektin e Qeverisë së Kosovës, me ftesë të shefit të ekzekutivit. Pas këtij takimi, ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, deklaroi se është diskutuar për ndërmarrjen e masave për të ulur tensionet në veri të vendit.
Hovenier deklaroi se janë të shqetësuar për zhvillimet e vazhdueshme në komunat veriore dhe se i kanë kërkuar kryeministrit Albin Kurti të ndërmarrë disa hapa që të arrihet siguria në veri.
Ambasadori i SHBA-së tha se zgjidhja është që kryetarët e zgjedhur më 23 prill të ushtrojnë detyrat e tyre në objekte alternative dhe të mos shkojnë në objekte komunale, por nuk pranoi të thotë nëse Kurti e ka pranuar një zgjidhje të tillë.
“Ka marrëveshje që de-përshkallëzimi duhet të ndodhë, por nuk e di nëse mund të them se kjo është një marrëveshje se si de-përshkallëzimi do të ndodhë. Ajo që kërkon SHBA-ja është mjaft e qartë, ne besojmë se nuk është e nevojshme që kryetarët e zgjedhur të komunave të punojnë detyrimisht çdo ditë në ndërtesat e komunave. Në fakt, në afat të shkurtër ne rekomandojmë që të mos jetë kështu, ashtu siç qeveria ishte në gjendje të gjente një mënyrë që ata të bënin betimet e tyre në ndërtesa të tjera alternative për të shmangur konfliktin dhe perceptimin e një tensioni në rritje atje, ne gjithashtu mendojmë se kjo është mënyra e duhur që ata të punojnë tani. Kjo është diçka nga perspektiva e SHBA-së për të cilën kemi folur”, deklaroi Hovenier.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara deklaroi se nuk është në gjendje të thotë se çfarë do të ndodhë nesër por uron që të ketë ulje të tensioneve dhe njerëzit t’i rikthehen normalitetit.
Ai tha se janë duke punuar që edhe të ketë zbatim të plotë të marrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë si e vetmja rrugë drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Unë nuk jam në gjendje t'ju them se çfarë do të ndodhë nesër, mund t'ju them vetëm se çfarë shpresojmë që do të ndodhë nesër që është të arrihet deeskalimi që qytetarët e Kosovës në mbarë Kosovën, por veçanërisht në veri, të jenë në gjendje të jetojnë dhe punojnë në kushte dinjiteti dhe sigurie, kryetarët e komunave të jenë në gjendje të bëjnë punën e tyre në mënyrë normale dhe të mos ketë krizë dhe të ketë ulje të tensioneve. Prandaj është kaq e rëndësishme të ecim përpara me zbatimin e plotë të marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, për të parë uljen e tensioneve që vjen me këtë dhe aftësinë për të vazhduar me rivendosjen e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për të mirën e të dy vendeve. Pra, për këtë jemi duke punuar”, vijoi Hovenier.
Hovenier ka shprehur edhe shqetësimet për dhunën ndaj trupave të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve si dhe dëmtimet që janë bërë veturave të këtyre.

