Hovenier pas takimit me Osmanin: Nevojitet mos përshkallëzimi i situatës në Veri. Të shmanget dhuna!

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka dalë në një deklaratë zyrtare pas takimit që ai zhvilloi këtë të hënë me presidenten Vjosa Osmani.

Ai ka theksuar nevojën për depërshkallëzimin e situatës në veri.

Ndërkohë që ka ritheksuar qëndrimin se ShBA-ja dënon veprimet e dhunshme të autoriteteve kosovare për të hyrë në ndërtesat komunale në veri.

Hovenier gjatë ditës është takuar edhe me dy kryetarët e komunave, të Zveçanit dhe atë të Zubin Potokut, Ilir Pecin dhe Izmir Zeqirin.

Duke folur për gazetarët, Hovenier tha se “është e rëndësishme që të shmangen situatat në të cilat zyrtarët publikë hyjnë në ndërtesat publike përmes përdorimit të forcës”.

Hovenier tha se ky është qëndrim i SHBA-së dhe i vendeve të tjera të Quint-it: Mbretërisë së Bashkuar, Italisë, Francës dhe Gjermanisë.

“Në takimin me kryetarët biseduam se si ata mund t’i përmbushin detyrat e tyre, për t’iu shërbyer të gjithë qytetarëve, në një mënyrë që tregon përgjegjësi ndaj të gjithë qytetarëve, dhe diçka e tillë, sipas nesh, tani nënkupton moshyrje në ndërtesë me forcë”, tha Hovenier.

Takimi u zhvillua në Zyrën e Bashkimit Evropian në Prishtinë, ku i pranishëm ishte edhe shefi i kësaj zyre, Tomas Szunyog. Hovenier tha se në takim janë ftuar të katër kryetarët e komunave me shumicë serbe në veri, por të pranishëm ishin vetëm ai i Zveçanit dhe i Zubin Potokut - që të dy nga Partia Demokratike e Kosovës në opozitë.