Pezullohen hetimet për vdekjen e 4 rusëve në Qerret, prokuroria në pritje të letërporosisë nga Moska

Vdekja e 4 turistëve rusë në një hotel në bregdetin e Kavajës rreth një vit e gjysmë më parë mbetet e mbuluar nga mistere! Prokuroria ka pezulluar hetimet, për shkak se autoritetet ruse nuk u kanë përgjigjur kërkesave për informacion

Hetimi për vdekjen e 4 turistëve rusë në një hotel në Qerret të Kavajës , gati një vit e gjysmë më parë ka mbetur pezull.

Autoritetet ruse nuk i kanë kthyer përgjigje homologëve shqiptare në lidhje me veprimtarinë apo të shkuarën e katër shtetasve rusë që humbën jetën në rrethana të cilësuara të mistershme.

Në këto kushte, ish-prokuroria e Kavajës, e  shkrirë me atë të Durrësit, pas hartës së re gjyqësore ka vendosur të pezullojë hetimet.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 15 tetor 2021 në pishinën e mbyllur të një hoteli në Qerret.

Viktimat ishin dy burra dhe dy gra që kishin ardhur për pushime në vendin tonë.

Sergei Burenkov, 60 vjeç, gruaja e tij Nataliia Burenkova, 58 vjeçe, vajza Ekaterina Burenkova, 31 vjeçe dhe dhëndri Nikita Belousov, 37 vjeç.

Fillimisht u dyshua se 4 rusët humbën jetën nga helmimi prej klorit në pishinë, por kjo pistë u rrëzua më vonë. Mjekësia ligjore shqiptare si shkak të vdekjes evidentonte monoksidin e lartë të karbonit në gjak.

Por hetimi i mjedisit në ambientin ku qëndruan rusë nuk tregoi përqindje të lartë dioksidi karboni. Fakti tjetër sipas prokurorisë që 4 rusët humbën jetën në të njëjtën kohë shtoi dyshimet për shkaqet e vdekjes.

Ky dyshim shtohet edhe nga fakti se pala ruse nuk është interesuar në asnjë moment për këtë çështje.

Prokuroria e Durrësit mbetet kështu në pritje të përgjigjes së institucioneve ruse ose zbulimit të fakteve të reja për të rinisur hetimin me synim zbardhjen e të panjohurave të vdekjes së 4 turistëve Rusë në Kavajë.