"Rrugorja" raprezalje në Shkodër dhe Gjirokastër, 208 shoferë ndëshkohen për ...

Policia Rrugore ka shtuar kontrollet për të evidentuar dhe ndëshkuar shkelësit e Kodit Rrugor. Policia e Shtetit njoftoi sot se, Policia e Shkodrës gjatë një jave ka ndëshkuar 106 drejtues mjetesh për parakalim të gabuar.

Gjithashtu Policia ka iniciuar procedim në gjendje të lirë për 4 drejtues mjetesh, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

Në njoftim bëhet e ditur se, “33 drejtues automjetesh janë ndëshkuar për mosvendosje të rripit të sigurimit, 9 drejtues motomjetesh për mosvendosje të kaskës mbrojtëse, 61 drejtues mjetesh për pushim të mjetit, në kundërshtim me sinjalistikën rrugore dhe 5 për qarkullim me shpejtësi tej normave të lejuara”.

Ndërsa në Gjirokastër Policia njoftoi se, gjatë kontrolleve në një javë, ka proceduar në gjendje të lirë 3 drejtues automjetesh për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor dhe për drejtim të automjetit, në mënyrë të parregullt. Gjithashtu, Policia ka pezulluar dhe 2 leje drejtimi.

Si rezultat i monitorimit të akseve rrugore të qarkut, me shërbime të shtuara dhe me pajisje të logjistikës bashkëkohore janë ndëshkuar 102 drejtues mjetesh, për parakalime të gabuara.

“Janë ndëshkuar 16 drejtues automjetesh, për mosvendosjen e rripit të sigurimit dhe 263 për ndalim ose pushim të automjetit, në kundërshtim me sinjalistikën rrugore”, informon Policia.