Berluskoni i buzëqesh jetës, ish-kryeministri italian del nga spitali “pas 45 ditësh të gjata”
Ish-kryeministri i Italisë, Silvio Berluskoni, ka lënë spitalin pas 45 ditëve trajtim. Pamjet e publikuara e tregojnë të buzëqeshur teksa del nga spitali “San Raffaele” në Milano
“Të dashur miq, sot, pas 45 ditësh të gjata, më në fund u ktheva në shtëpi dhe kthimi im ka ngrohur zemrat e familjes sonë të madhe. Një emocion i pabesueshëm, një lehtësim i madh. Ishte një periudhë e mundimshme dhe e vështirë, por pas errësirës fitova përsëri”, tha ai.
Por duket se 86 vjeccari nuk do të qëndrojë indifferent ndaj politikës. Ftesa e parë i vjen nga kryeministrja Giorgia Meloni e cila shprehet se po e pret që së bashku të luftojnë për shumë beteja.
“Ne jemi të gjithë të lumtur që jeni kthyer në shtëpi, mirë se erdhe President”, tha ministri i Jashtëm Antonio Tajani, anëtari më i vjetër i Forza Italia.
Berlusconi, u shtrua me urgjencë në spital më 5 Prill dhe qëndroi në kujdesin intensiv për më shumë se 10 ditë, duke shkaktuar spekulime se jeta e tij mund të jetë në rrezik. Pas ekzaminimeve dhe trajtimeve rutinë, 86-vjeçari rezultoi gjithashtu edhe me probleme në frymëmarrje për shkak të pneumonisë dhe u vendos në terapi intensive.
Berlusconi shërbeu si Kryeministër në vitet 1994-1995, 2001-2006 dhe 2008-2011. Mandati i tij i fundit në detyrë përfundoi me një dorëheqje, pasi Italia ishte në prag të falimentimit financiar dhe Berlusconi u përfshi në skandalin famëkeq seksual “bunga bunga”, për të cilën u lirua më vonë nga akuzat.
Në vitet e fundit, shëndeti i Berlusconit u përkeqësua dukshëm. Në Qershor 2016 ai kreu një operacion në zemër për shkak të bllokimit të një aorte, në Prill të 2019 ai u shtrua sërish në spital për shkak të dhimbjeve të rënda të barkut që e bëri atë të humbasë prezantimin e kandidatëve të Forza Italia, në 2020 ai rezultoi me Covid-19 që iu kthye në pneumoni dhe në Janar të 2022 ai pati një infeksion të rëndë urinar.
Gjatë shtrimit të tij të fundit në spital, Berlusconi ishte aktiv, duke u shfaqur në dy video-mesazhe, duke këmbëngulur se ishte gati të kthehej në punë.



