“14 maji” mollë sherri në Kuvend, opozita nuk reflekton për humbjen: PS manipuloi zgjedhjet
Salla e kuvendit iu rikthye diskutimeve por pa tensione. Marrëveshja për ndërtimin e urës mbi Bunë ishte projektligji më i rëndësishëm, por palët nuk harruan të shkëmbenin akuza për zgjedhjet e 14 majit
Kuvendi i është rikthyer seancës plenare me pak deputetë, por dhe më pak tensione.
Ndër vendimet e para të miratuara ishte marrëveshja për ndërtimin e urës mbi lumin Buna.
Mbledhja e parë opozitës i shërbeu për të akuzuar për manipulim të zgjedhjeve.
Noka: Sot është një ditë që çdo shqiptar i ndershëm duhet të jetë kryeulur kur analizon dhe shikon që para dy ditësh u mbyll një proces më i turpshmi në historinë e Shqipërisë. Të dielën, në Shqipëri nuk kishte zgjedhje, kishte një proces votimi. Duhet të ketë një demokraci të konsoliduar, por të dielën kishte një narko-regjim. Në Shqipëri u tregua se vija ndarëse mes partisë-pushtetit dhe shtetit nuk ekziston. Në Shqipëri, u blenë të gjitha me para droge. Të gjitha ishin të PS për të blerë, vjedhur, dhunuar dhe terrorizuar procesin, vetëm e vetëm me 1 kusht. Që Rilindja të merrte pushtetin, banda e quajtur qeveri shkoi në zgjedhje me një moto; të gjithë pushtetin sovjetëve.
Vangjel Dule akuzoi për arrestimin e Fredi Belerit që mori mandatin e Himarës, por dhe për qëndrimin në burg kur të akuzuarit i rëndohet shëndeti.
Dule: Kujtuam se i kishim parë të gjitha, por sekti në pushtet na surprizoi të gjithë. Provoi se nuk njeh limite, verbëria i çoi deri në aktin e tiranisë, arrestimin e kandidatit rival, e më pas fitues në zgjedhje. Kush nuk shkon pas ujërave ndëshkohet. Kryetari i Bashkisë Himarë, Beleri është i burgosur politik, është rrëmbyer nga sekti i rilindjes, është marrë peng nga Rama. Fjalën e ka drejtësia, Beleri është arrestuar në flagrancë për dyshime. Flagranca presupozon faktin e kryer, ndërsa dyshimi është dyshim. Rama kërcënoi qytetarët se do ta ketë personalisht me ta.
Kundër tyre brenda sallës dhe jashtë saj doli Taulant Balla.
Balla: Nëse do t’i hedhim një sy rezultateve të këshillave bashkiakë ky është një rezultat i shkëlqyer që na ka dhënë një shumicë pothuajse në gjithë këshillat bashkiakë. Ne nuk jemi këtu për të festuar, por për të thënë me shumë angazhim dhe shumë përulje se do të dimë ta lexojmë me shumë vëmendje këtë mbështetje të madhe dhe këtë inkurajim për të shkuar përpara. Historia që në këto vite humbësi e shikon fajin tek kundërshtari dhe asnjëherë nuk bën asnjë analizë të vetën për të kuptuar se çfarë ka bërë gabim është diçka që të insistosh në të njëjtin gabim, është një çmenduri dhe le te vazhdojnë të insistojnë në të njëjtën qasje që kanë pasur.
Por ajo që vihet re ishte se në votim kuorumi i deputetëve ishte i plotë, teksa në reagime në sallë ishte një numër thuajse i padukshëm.


