Fshati i harruar buzë Vjosës/ Iliras në Tepelenë po boshatiset, banorët: Nuk kemi as ujë!

Fshati Iliras në Memaliaj është drejt boshatisjes nag qytetarët. Banorët që kanë mbetur aty janë kryesisht të  moshuar ndërsa ata thonë se të rinjtë kanë ikur nga zona për shkak të mungesës së prespektivës. Një tjetër shqetësim për ta është uji i pijshëm, i cili mungon prej vitesh.

Nga 150 familje ne fshatin Iliras të Bashkisë së Memaliajt sot kanë mbetur rreth 50.

Pjesa më e madhe të moshuar, të cilët i gjen në toka duke punuar.

Të rinjtë kanë emigruar, ndërsa të moshuarit mbajnë frymën gjallë me bujqësi e blegtori.

"Tre nga fëmijët janë në Greqi, dy në Sarandë."

"Kemi mbetur vetëm, të gjithë pleq. Çfarë do bëjmë ne? Katër djem e dy vajza i kam në mërgim. Nuk ka punë."

Fshati me shtëpite fare pranë Vjosës për ironi nuk ka ujë.

Prej 32 vitesh, banorët shkojnë në burim mbi fshat për te mbushur ujë të pijshëm.

"Kemi 30 vjet që ka qenë Enveri jemi pa ujë."

"Me  krah marrim ujë për të pirë, uji i pusit nuk pihet."

Për ujin, banorët thonë se përpara disa vitesh u investua, por tubat dhe materialet e tjera u vodhën.

Askush nuk e di se ku shkuan materialet dhe nëse është bërë ndonjë denoncim në polici nga ana e bashkisë për fatin e taksave të tyre të shkuara dëm.