Humbja e kujtesës gjen shërim?

Eksperimentet për të zbuluar kurën kundër sëmundjes së Alzheimerit duket se po japin shpresa.

Kompania amerikane Eli Lilly ka bërë të ditur se në provat e fundit ka rezultuar frenimi i humbjes së aftësisë të të kujtuarit deri në 35 përqind, duke rritur shpresat për arritjen e një trajtimi efektiv.

“Ilaçi i quajtur Donanemabi, përmbushi të gjitha qëllimet parësore dhe dytësore të provës. Ai ngadalësoi përparimin e Alzheimerit me 35% deri në 36% krahasuar me një ilaç të posaçëm të mëparshëm”- tha Lilly.

Dr. Eric Reiman, drejtor ekzekutiv i Institutit Banner Alzheimer, i cili po drejton një studim parandalues te pacientët presimptomatikë, tha se ishte "shumë i emocionuar" për gjetjet.

“Është e qartë se këtu janë parë përfitime, por duhen marrë parasysh edhe rreziqet e mundshme”.

Lilly sqaroi se trajtimi me Donanemab mund të shkaktojë një enjtje të mundshme të trurit, një efekt anësor i njohur i barnave të këtij lloji, që u shfaq dhe tek 24% e pacientëve gjatë fazës së tretë të eksperimentit.

Kompania po planifikon ta miratojë për përdorim në SHBA deri në fund të qershorit dhe me rregullatorët nga vendet e tjera, duke vlerësuar se rezultatet janë mjaft domethënëse krahasuar me pasojat fatale të sëmundjes.

Më shumë se 6 milion amerikanë vuajnë nga Alzheimer dhe sipas Shoqatës së Alzheimerit deri në vitin 2050 mund të rritet në 13 milionë të prekur.