Ndahet nga jeta Llambi Gegprifti, ish-kandidati i Byrosë Politike të PPSH
Është ndarë nga jeta në moshën 81-vjeçare, Llambi Gegprifti, ish-ministri dhe ish-kandidati i Byrosë Politike të PPSH.
Lajmin e ka njoftuar në rrjetet sociale dhe vajza e tij, Sonila Qato.
“Llambi Gegprifti! Lamtumirë babi ynë i shtrenjtë! Në këtë ditë të bukur fillim maji ti mbylle sytë përgjithnjë, duke na hidhëruar zemrën, për të qenë i pavdekshëm për ne vajzat e tua, mamin, niperit e mbesat. Na ke lënë pas pasurinë më të madhe, jetën tende të ndershme, emrin tënd që na ka bere gjithnjë të ndihemi krenare! Lamtumirë babi ynë i shtrenjtë”, shkruan ajo.
Ai lindi më 14.2.1942 në fshatin Potgozhan të Pogradecit në një familje të varfër fshatare. Ka kryer studimet në Fakultetin e gjeologji-minierave.
Ka punuar si inxhinier e drejtues në sektorin e minierave, ku u dallua si organizator i aftë. Anëtar i PPSH më 1964.
Kandidat i KQ të PPSH në Kongresin VI (1971) dhe anëtar i KQ të PPSH në Kongresin VII (1976). Në vitin 1974 u ngarkua me detyrën e zëvendësministrit të Mbrojtjes Popullore, ndërsa në mars 1981 u emërua ministër i Industrisë dhe Minierave.
Para rrëzimit të sistemit ishte kryetari i komitetit Ekzekutiv të Tiranës.

