Shkrihen 9 gjykata e prokurori/ Vasili: Kjo është një antireformë e rrezikshme.
Nga Sot, 9 gjykata e prokurori të shkallës së parë në qytete të cilësuara të vogla do të shkrihen si pjesë e zbatimit e hartës së re gjyqësore! Hetimet dhe gjykimet do të transferohen në rrethe të tjera.
Gjykatat e Shkallës së Parë që mbyllen janë ajo e Tropojës, Matit, Kurbinit, Pukës, Krujës, Kavajës, Lushnjës, Përmetit edhe Pogradecit.
Ndërsa faza e tretë e reformës do të zbatohet në korrik, ku dhe parashikohet riorganizimi i gjykave administrative.
Lidhur me këtë situatë të re të krijuar në 9 qytetet e vendit ka reaguar nënkryetari i Partisë së Lirisë Petrit Vasili, i cili thotë se kjo hartë gjyqësore është një antireformë e rrezikshme.
“Shumë e rëndë, nga sot mijra qytetarëve ju hiqen 9 gjykata dhe prokurori! Nga sot Gjykatat e Shkallës së Parë mbyllen ne Tropojë Mat, Kurbin, Pukë, Krujë , Kavajë, Lushnjë, Përmet edhe Pogradec.
Ç'reforma në drejtësi ju shkatërroi qytetarëve aksesin për drejtësi, shtoi zvarritjet pa fund, ju rriti kostot thjesht po i lë realisht pa drejtesi.
Kjo Hartë gjyqësore është një anti-reformë e rrezikshme, sepse:
Kjo Hartë Gjyqësore pengon rritjen e aksesit, cilësisë dhe reduktimin e kostove për qytetarët në marrjen e drejtësisë dhe në respektim të së drejtës për një proces të rregullt gjyqësor.
Kjo Hartë e re Gjyqesore nuk ka vlerësuar shpërndarjen dhe përqëndrimin e popullatës në njësitë administrative të secilës bashki dhe ka krijuar shpërndarje absurde të gjykatave, sipas këtij gjoja riorganizimi të ri.
Kjo Hartë e re Gjyqësore nuk merr parasysh një nga problematikat më delikate, siç është largësia gjeografike, që shumë qytetarë kanë nga Gjykatat dhe si mundësitë e kufizuara të transportit dhe ato financiare individuale për të përballuar këtë transport të largët dhe absurd.
Kjo Hartë e tillë arbitrare shkakton realisht asgjesimin e mundësisë reale për akses të lehtësuar në drejtësi dhe realizimin e vërtetë të barazisë përpara ligjit e të pa ndikuar nga asnjë faktor social ekonomik, që krijon pabarazi”, shprehet Petrit Vasili.




