Pilula që mbron nga HIV-i, në Shqipëri/ Hoxhaj: “Truvada” përdoret për trajtim, duhet të përdoret edhe për parandalim
Në Shqipëri mbi 1 mijë e 500 persona janë diagnostikuar me HIV. Nisur nga rastet që po rriten çdo vit shoqatat po bëjnë përpjekje që pilulat që mbrojnë nga infektimi të aksesohen më lehtë nga qytetarët.
Kjo pilulë quhet Truvada. Mbron nga infektimi me HIV dhe gati 16 shtete europiane e ofrojnë falas për popullatën.
Në Shqipëri aktualisht përdoret për trajtimin e personave të infektuar, por shoqatat po bëjnë përpjekje që medikamenti të aksesohet edhe për parandalimin e sëmundjes.
Olimbi Hoxhaj, Shoqata e personave të prekur me HIV/AIDS: “Është një medikament që ofrohet për personat me HIV negativ. Pra, personat e shëndetshëm, futen në terapi dhe nuk infektohet nga HIV-i. Nuk ofrohet pa mbështetjen e stafit mjekësor. Pra duhet përshkrimi i mjekut për mënyrën se si do ta administrojë e me radhë”.
Olimbi Hoxhaj, drejtore e shoqatës së personave të prekur me virusin HIV/AIDS thotë se medikamenti do të pilotohet për dy vite rresht tek 100 meshkuj homoseksualë.
Olimbi Hoxhaj, Shoqata e personave të prekur me HIV/AIDS: “Pse përfshihemi ne tek PREP. Sepse kjo nuk është pjesë në parandalimin e situatës së shëndetshme në aktivitetin seksual. Ne e përdorim edhe në kuadrin e çifteve në diskordancë. Pra kemi çifte kur njëri nga partnerët është HIV pozitiv, dhe tjetri HIV negativ”.
Hoxhaj tregon se në vendin tonë mungon informacioni për rëndësinë e kësaj pilule.
Është e domosdoshme, thotë ajo, që të përdoret veçanërisht tek personat e rrezikuar.
Olimbi Hoxhaj, Shoqata e personave të prekur me HIV/AIDS: “Informacioni nuk është se është gjerësisht i përhapur. Është pjesë e paketës së ndryshimit dhe pjesa e informimit dhe ndërgjegjësimit të komuniteteve dhe ka kërkesa nga komuniteti. Ka pasur më parpara në rrjetin farmaceutik shitje të lirë të medikamentit, por ishte kosto shumë e lartë. Dhe duke parë kërkesën dhe ofertën kompanitë farmaceutike nuk e sollën më”.
Të dhënat sa i takon HIV/AIDS janë shqetësuese. Trendi çdo vit është në rritje dhe sipas statistikave të institucioneve aktualisht në Shqipëri rezultojnë të prekur mbi 1 mijë e 500 persona.



