Zbardhet skema/ Pastrim parash përmes bizhuve, bashkë me italianët e përfshirë edhe motra e Kreshnik Kurtit
Zbulohen emrat e tjerë të përfshirë në skemën e fshehjes të ardhura dhe pastrimit të parave duke përdorur tregtinë përmes bizhuterive të floririt nga Italia në Shqipëri.
Gazetari i "Ora News" Elton Qyno, raporton se në këtë skemë është përfshirë dhe motra e personit të arrestuar Kreshnik Kurti.
Kejda Kurti, tashmë është shpallur në kërkim pasi gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë arrest në burg.
Mes personave të shpallur në kërkim është dhe shtetasi Italian Pietro Savino Cosentiono, i cili dyshohet për "Fshehjes se te ardhurave" dhe "Pastrimit te produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale".
Në kërkim është shpallur shtetasja Nicoleta Isabella Jolanda de Petris Borroni, për të cilën gjykata ka caktuar masën arrest në burg në mungesë për dy veprat penale të mësipërme.
Aktiviteti i italiane dhe dy shtetasve shqiptarë, motër dhe vëlla ka nisur që prej vitit 2017, duke përdorur fatura tatimore fiktive.
Bëhet fjalë për dhjetëra transaksione bankare që janë kryer përmes një banke në Itali në drejtim të një banke tjetër me degë në Shqipëri.
Në total llogaritet një shumë financiare prej 2 milion euro që kanë kaluar në llogaritë e Kejda dhe Kreshnik Kurtit.
Motër e vëlla së bashku me dy italianët kishin hapur në 2016 në Shqipëri kompaninë “Tirana-Bullion”. Ndërsa në Itali është hapur nga dy shtetasit Italianë, kompania “Espozito Preziosi SRL”.
Ndërkohë administrator të kompanisë “Tirana Bullion” kishin vendosur Rasim Kurtin, babain e Kejda dhe Kreshnik Kurtin.
Të dyja kompanitë bënin sikur tregtonin dhe shisnin mallra flori “Ora”, por në fakt gjithçka ka qenë një mashtrim. Aktivitet maskohej vetëm për të prerë fatura shitjesh, të cilat më pas i paraqisnin në bankë, prej nga kryheshin transaksionet.
Por aktiviteti i 4 personave është pikasur fillimisht nga Drejtoria e Pastrimit të Parave, e cila ka kërkuar hetimin e këtij rasti nga prokuroria dhe policia e Tiranës.
Prokuroria e Tiranës në bashkëpunim me krimin ekonomiko financiar, pasi ka grumbulluar provat e nevojshme ka dalë në përfundimin se 4 personat e përfshirë në këtë skemë duhet të arrestoheshin.
Prokurori i çështjes, Bledar Valikaj, pak ditë më parë ju drejtua me një kërkesë gjykatës së Tiranës, për caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg”, ndaj dy shtetasve shqiptarë dhe dy italianë.
Kërkesa e tij është miratuar nga gjykata, duke sjellë fillimisht arrestimin e Kreshnik Kurtit. Ndërsa motra e tij, Kejda Kurti dhe dy italianët, Nicoletta Isabella Jolandade Petris Borroni, Pietro Cosentino, janë shpallur në kërkim.
Tashmë ndaj tyre është ngritur akuza e “Fshehjes së të ardhura” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale”.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.

