All - Scripts - 1
All - Scripts - 2

Pastrim parash me flori/ Arrestohet administratori, dy të tjerë në kërkim, shmangën tatimet

Prokuroria e Tiranës ka ngritur akuzë ndaj katër personave, dy shqiptarë dhe dy italianë për pastrim parash përmes tregtisë fiktive të floririt. Skema realizohej me anë të faturave që plotësoheshin nga kompania e Kreshnik Kurtit, motrës së tij dhe dy shtetasve italianë për të justifikuar transferimin e shumave të mëdha monetare nga Italia në Tiranë, ku më pas tërhiqeshin dhe zhdukeshin.

Dy shtetas shqiptarë dhe dy italianë akuzohen nga Prokuroria e Tiranës se kanë kryer pastrim parash përmes një kompanie të dyshuar fiktive që merrej me tregtinë e floririt.

Subjekti i krijuar në vitin 2016 kishte si administrator të 50 përqind të pronësisë, shtetasin Kreshnik Kurti që është mes të arrestuarve.

Në këtë skemë është përfshirë dhe motra e tij, Kejda Kurti, e shpallur në kërkim bashkë me shtetasin italian Pietro Savino Cosentiono, si dhe zviceranen Nicoletta Isabella Jolandade Petris Borroni Trebbi, banuese në Itali.

Këta të fundit zotëronin 50 përqind e aksioneve të tjera të kompanisë dhe akuzohen për “Fshehje të ardhurash” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale”.

Hetimi ka nisur në vitin 2020 në lidhje me subjektin TIRANA-BULLION Sh.p.k.

Gjatë hetimeve, Prokuroria tha se ka zbuluar një skemë e mirëfilltë e transferimit të shumave monetare me prejardhje të dyshuar kriminale nëpërmjet sistemit bankar nga Italia me destinacion Shqipërinë.

Në njoftim, thuhet se nëpërmjet shoqërisë fiktive TIRANA-BULLION Sh.p.k bëheshin blerje fiktive të floririt dhe më pas shitje fiktive me fatura tatimore, ku qëllimi i vetëm ishte që nëpërmjet këtyre faturave të justifikoheshin transfertat e vlerave të larta monetare me origjinë të dyshuar kriminale dhe që kapin shifrën e miliona eurove nga bankat italiane në ato shqiptare. 

Transferta në dukje të justifikuara me anë të një faturimi të rregullt, duke i paraqitur si pagesa të blerjeve të floririt të përdorur, sipas Prokurorisë arrinin t’i shpëtonin kontrollit të agjencive mbikqyrëse në fushën e pastrimit të parave dhe sapo këto shuma mbërrinin në Shqipëri tërhiqeshin cash dhe zhdukeshin.

Hetuesit bënë të ditur se duke pasur parasysh vlerën e detyrimit tatimor të shmangur dhe vijimësinë e veprimtarisë së kundërligjshme, është kërkuar masa arrest me burg për katër persona, dy nga të cilët janë arrestuar dhe dy të tjerë janë në kërkim.