Salinas: Fokusi i bashkëpunimit të BB me qeverinë, rritja e kapitalit njerëzor

Përfaqësuesi i Bankës Botërore në Tiranë, Emanuel Salinas, tha se, “BB shikon një potencial të madh ekonomik në Shqipëri, teksa ekonomia është rritur në mënyrë të qëndrueshme edhe përballë rritjes së çmimeve”.

Duke marrë fjalën në punimet e Forumit “Klima e Biznesit, Produktiviteti i Kompanive dhe Kapitali Njerëzor”, që po zhvillon punimet në Tiranë, Salinas theksoi se, fokus i veçantë i bashkëpunimit të qeverisë me BB është padyshim rritja e performancës dhe kapitalit njerëzor, si burim i nxitjes së ekonomisë”.

Në këtë kontekst, vijoi ai, “ne mbështesim ndërlidhjen mes vendeve dhe shkëmbimin e eksperiencave, si një faktor në rritjen e performacës së kapitalit njerëzor, gjithashtu në rastin e Shqipërisë shohim edhe rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe lehtësimin e shërbimeve për qarkullimin e mallrave dhe njerëzve. Ky progres i Shqipërisë vihet re tashmë”.

“Nëse shohim sektorin e bujqësisë si një sektor kyç për Shqipërinë, më pak se 3% e kredisë shkon për bujqësinë, ndërkohë që ky sektor jep më shumë se 30% të vendeve të punës dhe përqindje të madhe të eksporteve dhe PPB-së, ndaj dhe investimet duhet të lidhen me produktivitet ndaj duhet financuar edhe më shumë këtu”, theksoi Salinas.

“Së bashku me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural jemi duke investuar për rritjen e produktivitetit dhe qëndrueshmërinë e sektorit bujqësor dhe rritjen e kapaciteteve shqiptare për të mbështetur një sektor të tillë”, shtoi Salinas.

Gjithashtu, nënvizoi ai, “po mbështesim edhe sektorin e turizmit, ku po investojmë në sitet e ndryshme të trashëgimisë kulturore, që shërbejnë si katalizator për mirëqenien e zonave”.

Ai tha se, “Shqipëria ka potenciale për rritjen e eksporteve nga fasoneria, por edhe në sektorë të tjerë privatë të ekonomisë shqiptare”.