Emigrimi ndikoi te forca e punës, Dhoma Amerikane e Tregtisë: Shqipëria ka nevojë për një klimë konkuruese
Në mbledhjen e radhës të Dhomës Amerikane të Tregtisë drejtuesi i saj Enio Jaço radhiti një sërë problematikash në ekonomie shqiptare, që sipas tij po ecën me ritme të ngadalëta. Ndërkohë Yuri Kim bëri thirrje që të merren parasysh sugjerimet e kompanive amerikane.
Ekonomia në Shqipëri po ecën me ritme të ngadalëta, ky është konstatimi i Presidentit të Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço.
"Ndërthurja e post-pandemisë me luftën në Ukrainë, tronditi zinxhirët e furnizimit global dhe ju detyroi të përshtateni me një realitet të ri ekonomik. Ekonomia e ngadalshme – jo vetëm në Shqipëri – vijon. Mjedisi inflacionist, ku ju keni përballur rritje të çmimeve për produktet thelbësore dhe keni pasur për zgjedhje mes uljes së fitimit ose kalimit të kostove te konsumatorët".
Sipas tij Shqipëria ka nevojë për një klimë konkuruese biznesi dhe investimesh, në mënyrë që investitorët të qëndrojnë për një afat të gjatë kohor.
“Çështja sot është qëndrueshmëria, pra si t’i bëjmë këta investitorë të qëndrojnë për një afat të gjatë kohor. Për ta arritur këtë, ne kemi nevojë për një klimë konkurruese biznesi dhe investimesh. Faktorë të tillë si lehtësia e lejeve, niveli i korrupsionit, a kanë investitorët shanse për të hyrë në prokurimet publike, a janë stimujt e investimeve konkurruese, janë çështje reale që përcaktojnë klimën e investimeve. Ne duhet të ofrojmë një mjedis tërheqës për të siguruar investitorë strategjikë'.
Një tjetër problem theksoi Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço, është edhe emigrimi i krahut të punës.
"Vala e dukshme e emigrimit ndikoi disa nga segmentet më të kualifikuara të forcës së punës".
E pranishme në këtë takim ishte edhe ambasdorja amerikane, Yuri Kim, e cila u shpreh se Dhoma Amerikane do të vijojë që të japë rekomandime për zhvillimin e biznesit në Shqipëri.
"Reforma në Drejtësi po jep rezultatet reale që do të ndikojnë në vendime për investime. Qeveria vazhdon të racionalizoje dhe të bëjë më efikase rregulloren. Kompanitë amerikane mund të luajnë një rol të rëndësishëm në ekonominë e Shqipërisë. Sektori IT ka ndikuar shumë. Kompanitë amerikane mund të luajnë një rol kyç për të ofruar alternativa punësimi. Presim të punojmë me Dhomën Amerikane për një partneritet më të mirë biznesi".

