Zjarri shkakton dëme të shumta materiale, reagon spitali i Shkodrës: S'ka pacientë të lënduar, po merren masa
Një zjarr i rënë mëngjesin e sotëm në repartin e kirurgjisë në Spitalin Rajonal të Shkodrës ka shkaktuar dëme të shumta materiale. Zarrfikësit kanë ndërhyrë për shuarjen e flakëve.
Ndërhyrja në kohë e shërbimeve bëri të mundur neutralizimin e flakëve, duke mos lejuar përhapjen e flakëve në dhomat e tjera si dhe shuarjen e plotë të zjarrit.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e shkakut të rënies së zjarrit, paraprakisht dyshohet aksidental.
Nderkaq lidhur me ngjarjen ka reaguar edhe spitali i Shkodrës.
"Spitali Rajonal Shkodër bën me dije se në orën 6:45 të mëngjesit të sotëm, ka ndodhur një incident, ku ka rënë zjarr në njërën prej dhomave të pacientëve në Shërbimin e Pneumologjisë.
Pacientët janë evakuuar në kohë dhe nuk ka patur të lënduar. Zjarri është shuar menjëherë, duke mos lejuar përhapjen në dhomat e tjera. Spitali Rajonal i Shkodrës siguron se shërbimi vijon pa ndërpreje teksa po merren masa të menjëherëshme për riparimin e ambientit ku ka ndodhur incidenti", thekson Spitali Rajonal Shkodër.


