"Vrasësi i Ardian Nikulajt nga Shqipëria e mesme ose veriu", çfarë deklaroi dëshmitari që pa ekzekutimin e tij

Një dëshmitar okular i vrasjes së biznesmenit, Ardian Nikulaj, në Shëngjin ka treguar për hetuesit detaje nga ngjarja duke shprehur dyshimet se autori mund të jetë nga Shqipëria e mesme ose nga veriu, sipas dialektit që ka përdorur.

"Rreth orës 12:30- 13:00, i ulur në tavolinë ka qënë pronari i lokalit Ardiani, vetëm, i cili ishte i përqëdruar tek telefoni që kishte në dorë, kohë kur në lokal nuk ka patur klientë. Në këtë kohë ka hyrë në lokal një person mashkull, i cili ishte trup i gjatë rreth 190 cm, i shëndetshëm, i cili mbante veshur një veshje të trashë dhe një jelek pune jeshil sipër rrobave, ndërsa në kokë kishte skafandër dhe dorën e kishte në çantë, me rrip të lidhur në trup. Pasi është afruar afër banakut personi ka përshëndetur duke thënë: "Si e kalut?"

Dëshmitari ka treguar çfarë ndodhi më tej dhe momentin e vrasjes, por thotë se për shkak të krismave nuk ka arritur të kuptojë çfarë po ndodhte.

"Më pas ai është afruar tek tavolina ku ndodhej Ardiani dhe pasi ka nxjerrë armën nga çanta ka filluar të qëlloje me armë pistoletë në drejtim të Ardianit. Pasi kanë pushuar të shtënat dhe është larguar personi dhe më pas jam kthyer përsëri në lokal dhe e kam gjetur Ardianin të gjakosur në kokë dhe pa shenja jete. Në këtë moment kam njoftuar policinë në telefon për ngjarjen e ndodhur dhe kam pritur deri sa kanë ardhur ambulanca dhe policia".

I pyetur nese e ka parë në fytyrë personin që qëlloi me armë dhe a jeni në gjendje ta njihni po ta shikoni, dëshmitari thotë se personi kishte skafandër në kokë dhe nuk ka arritur ta fiksojë fytyrën e tij.

Pyetjes aq sa komunikoi autori me ju se në çfarë dialekti fliste dhe nga çfarë zone mund të jetë, dëshmitari i është përgjigjur duke thënë se mendon se mund të jetë nga veriu ose Shqipëria e mesme, pasi nuk dukej si dialekt jugor.

Një tjetër dëshmitar është përballur me autorin në hyrje të lokalit. Ai thotë se personi i ka kërkuar të largohej dhe ka hyrë në lokal.

Sipas këtij dëshmitari, autori kishte zë të trashë por ai nuk ka arritur ta dallojë fytyrën e tij për shkak të maskimit.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.