“Na sulmuan me thikë dy persona”, policia i heq maskën shqiptarit që vrau partneren, arrestohet
38-vjeçarja shqiptare Anila Ruçi që u gjet e vrarë me thikë mbrëmjen e të mërkurës në Itali është ekzekutuar nga partneri i saj Osman Bilyhu, 31 vjeç, që gjithashtu u gjet i plagosur.
Kanë qenë kamerat e sigurisë dhe hetimet e kryera nga Karabinierët e Pavias dhe Vogheras që zbardhën misterin e vrasjes së Anila Ruçit, një kujdestareje 38-vjeçare me origjinë shqiptare.
Osman Bilyhu, 31 vjeç, shqiptar, u arrestua gjatë natës për krimin, i akuzuar se kishte vrarë gruan me të cilën jetonte prej disa kohësh në një shtëpi në rrugën Piave.

Pasditen e së mërkurës, i riu shqiptar pa leje qëndrimi, ka bërë thirrje për ndihmë.
Me të mbërritur, mjekët e gjetën Bilyhun para shtëpisë.
Brenda saj Anila në një pellg gjaku.
“Na sulmuan me thikë dy të panjohur”, do të thoshte Bilyhu, duke justifikuar kështu plagosjen e tij dhe vrasjen e 38-vjeçares.

Një version që megjithatë nuk ka gjetur prova në hetimin e koordinuar nga Diletta Balduzzi, zv/prokurore e Pavias.
Dyshimet janë fokusuar tek Bilyhu, i cili tashmë ruhet në San Matteo di Pavia, ku ndodhet në spital për plagët e marra.
