Begaj uron besimtarët për Fiter Bajramin: Bashkëjetesa dhe harmonia fetare, vlerë për kombin tonë
Krerët e Shtetit dhe politikës e vunë theksin tek solidariteti dhe lufta kundër fenomeneve shqetësuese në mesazhet për festën e Fitër Bajramit. Presidenti Begaj dhe ish-kryeministri Berisha uruan nga Kavaja, ndërsa kryeministri Rama dhe kryetarja e Kuvendit në rrjetet sociale.
Komuniteti mysliman i Shqipërisë ndryshe nga vitet e tjera, përveç politikanëve këtë herë ka pritur për vizita besimtarët e thjeshtë.
Kreu i Shtetit, presidenti Bajram Begaj zgjodhi Xhaminë Kubelie në Kavajë për të uruar shqiptarët për festën. Theksin e vuri tek solidariteti.
“Nga Kavaja uroj të gjithë besimtarët myslimanë dhe të gjithë shqiptarët ku jetojnë e punojnë gëzuar Festën e Fiter Bajramit! Uroj nga zemra që agjërimi i muajit të Ramazanit ka përmbushur qëllimin e shprehjes së devocionit të besimtarëve përmes sakrificës! Sakrifica në emër të besimit shpresoj të jetë shtysë për ne, për të bërë vepra të mira, për familjen, për shoqërinë dhe për kombin.
Në fakt, kjo festë e Fiter Bajramit ka karakteristikë të veçantë solidaritetin dhe dashurinë. Dashurinë për njëri-tjetrin, dashurinë për Zotin. Sot në Kavajë gjeta veten, takova miq të rinj dhe të vjetër, të besimeve të ndryshme dhe ku më mirë se Kavaja tregohet kjo harmoni fetare.
Bashkëjetesa dhe harmonia fetare për të gjithë kombin tonë është një vlerë e jashtëzakonshme, vlerë e cila duhet ruajtur, duhet promovuar dhe pse jo duhet eksportuar. Të eksportojmë atë vlerë që është më e mira.
Populli shqiptar e ka treguar me vepra që e përkrah të ndryshmen. Kemi pritur refugjatë afganë, kemi pritur refugjatë ukrainas, kemi hapur dyert tona në ditë të vështira, pse jo edhe në këtë ditë të bëjmë një thirrje që të ndihmojmë ata që janë më të pamundurit, ata që kanë nevojë për më shumë.
Gëzuar Festën e Fiter Bajramit! Uroj për të gjithë shqiptarët, mirësi në jetën e tyre!”, tha Begaj.
Nga qyteti të cilin e cilëson “Meka e demokracisë” e përcolli mesazhin e tij edhe ish-kryeministri Sali Berisha.
Berisha: Një herë, në radhë të parë një urim nga zemra të gjithë besimtarëve myslimanë të Kavajës dhe mbarë Shqipërisë, në këtë ditë të bekuar, ju uroj fat, mbarësi, suksese dhe atë që u donzemra. Uroj Shqipërisë që kjo të jetë pranverë e ndryshimit.
Uroj gjithashtu çdo qytetar shqiptar të të gjitha besimeve, të marrin në këtë ditë vendimet me ndihmën e Zotit, të prira nga e mira, të prira nga e ardhmja. Unë erdha këtu, sepse këta qytetarë kanë një meritë të jashtëzakonshme.
Gratë dhe burrat e këtij qyteti, agjëruan dhe i qëndruan besimit tek Zoti, në mënyrën më të vendosur në një kohë kur tragjikisht, shumë të tjerë e lëshuan, kurse këta erdhën vitet ’90 si besimtarë të përkushtuar dhe me një harmoni, sepse këtu janë dy komunitete fetare, me një harmoni fetare të shkëlqyer. Ndaj dhe erdha të ju uroj sot.Kavaja sigurisht që e zgjedh vetë kandidatin e vet. E ka zgjedhë. Kandidaturën e shikoj të shkëlqyer.
Meqenëse sot është ditë e shenjtë dhe natyrisht gjërat që të vijnë në mendje, është mirësia dhe mëkati, sevapi dhe mëkati, e vërteta është që rivalët e tjerë, rivalët e Fisnikut, në Kavajë dhe mbarë Shqipërinë, mëkatarët më të mëdhenj që kanë garuar ndonjëherë.
Kryeministri Edi Rama dhe Kryetarja e Kuvendit i përcollën mesazhet për besimtarët myslimanë përmes rrjeteve sociale.
Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta, kandidati për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi, por edhe përfaqësuesit e PD zgjodhën selinë e Komunitetit Mysliman për të uruar besimtarët për festën e Fiter Bajramit.
Krerët e Shtetit dhe politikës bashkë me urimet përcollën mesazhe për solidaritet, harmoni fetare por dhe për plagët sociale me të cilat përballet vendi ynë.




