SHBA i bën thirrje Turqisë dhe Hungarisë që të miratojnë anëtarësimin e Suedisë në NATO

 

Gjatë një vizite në Suedi, sekretari amerikan i mbrojtjes i bëri sot thirrje Turqisë dhe Hungarisë që të ratifikojnë anëtarësimin e Suedisë në NATO "sa më shpejt të jetë e mundur" dhe përpara samitit të ardhshëm të aleancës në fillim të korrikut.

“Ne mezi presim që së shpejti të mirëpresim Suedinë si anëtaren e 32-të. Dhe për të qenë të qartë, ne presim që kjo të ndodhë përpara samitit të korrikut”, tha Lloyd Austin gjatë një vizite në bazën detare të Suedisë Muska pranë Stokholmit.

"Prandaj ne i bëjmë thirrje Turqisë dhe Hungarisë që të ratifikojnë pranimin e Suedisë sa më shpejt të jetë e mundur," shtoi ai.

Ushtria amerikane ka rritur misionet e saj detare dhe ajrore në Suedi "për të nënvizuar këtë mbështetje të thellë", shpjegoi sekretari amerikan i mbrojtjes, pas kërcënimeve për hakmarrje të bëra në fillim të prillit nga ambasadori rus në Stokholm.

Uashingtoni mbështet që në fillim pranimin e Finlandës, që hyri në fuqi më 4 prill, dhe atë të Suedisë, e cila prej muajsh pret dritën jeshile të nevojshme nga Turqia dhe Hungaria.

Suedia dhe aleanca shpresojnë të pastrojnë pengesat përpara samitit të NATO-s në Vilnius, Lituani në fillim të korrikut, por çështja po bëhet e vështirë.

Analistët thonë se shumë do të varet nga rezultati i zgjedhjeve të Turqisë më 14 maj, ku presidenti në largim, Rexhep Tajip Erdogan po kandidon për një mandat të ri.

Turqia akuzon kryesisht Suedinë se është një strehë për "terroristët" kurdë armiqësorë ndaj Ankarasë, duke kërkuar deportimin e tyre.