Sigurimi i Shtëpisë së Bardhë alarmohet nga vizitori me pelenë

Një djalë i vogël arriti të hynte në kopshtin e Shtëpisë së Bardhë sot, duke thyer gardhin në anën veriore të saj, përpara se të hiqej nga njerëzit e Shërbimit Sekret.

Rojet “u përballën në pjesën veriore të gardhit të Shtëpisë së Bardhë me një vizitor të ri “të çuditshëm”, i cili hyri për pak kohë në oborrin” e rezidencës presidenciale, thuhet në deklaratën përkatëse të ribotuar nga mediat amerikane.

“Sistemet e sigurisë së Shtëpisë së Bardhë u aktivizuan, duke nxitur mobilizimin e Shërbimit Sekret. Vogëlushi u dorëzua shpejt te prindërit e tij”, tha zëdhënësi i Shërbimit Sekret Amerikan Anthony Guglielmi.

Krahu verior i zonës së oborrit të Shtëpisë së Bardhë u bllokua për një kohë të shkurtër derisa ndërhyrësi i vogël, një djalë rreth 2-4 vjeç, i cili mbante pelenë,  u hoq nga rojet dhe shpjegimet e nevojshme do të jepen nga prindërit.