Bardhi fushatë në Lezhë: Të ruajmë dinjitetin e PD-së, ka mbetur pjesa e arsyeshme e partisë
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi zhvilloi një takim në Lezhë për të shënuar hapjen e fushatës zgjedhore. Gjatë takimit me strukturat lokale të PD ai u shpreh se në këto zgjedhje do të mbrojnë dinjitetin e Partisë.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi zhvilloi një takim në Lezhë në kuadër të hapjes së fushatës elektorale për zgjedhjet e 14 majit.
Gjatë takimit, Bardhi u shpreh se në këto zgjedhje Partia Demokratike do të marrë pjesë për të ruajtur dinjitetin e saj.
“Në këtë sallë dhe kudo ku është PD, më besoni është pjesa e arsyeshme e PD. Ajo që në 32 vite ka qenë këtu, edhe kur ia kanë përplasur derën në surrat ka qenë po këtu se duan PD. Edhe në këtë betejë elektorale të pazakontë kemi hyrë me një qëllim, të ruajmë dinjitetin e PD.”
Për Bardhin, PD nuk duhet të përsërisë gabimet e së shkuarës.
“Një gjë s’ia falim askujt, në 2023 të përsërisim gabimet e të shkuarës për inate të momentit. Të gjithë e mbani mend në 2009 e mbushëm me pushtet Ilir Metën dhe me atë veprim, sollëm në pushtet Edi Ramën në 2013.”
Në Lezhë Partia Demokratike do të shkojë në zgjedhjet e 14 majit me kandidatin Sandër Marku.
