Pashkët kthejnë emigrantët, fluks hyrjesh në Shqipëri nga Greqia në 2 ditët e fundit
Pashkët ortodokse që kremtohen të dielën kanë sjellë fluks qytetarësh që i janë drejtuar vendit tonë nga pikat kufitare kryesisht në jug dhe në juglindje të vendit.Në Kapshticë dhe Kakavijë pala shqiptare ka shtuar sportelet, ndërsa mijëra persona kanë hyrë në këto pika kufitare 48 orët e fundit.
Festa e Pashkës ka rikthyer në atdhe emigrantët shqiptarë të cilët janë nisur drejt Shqipërisë për të festuar me familjet.
Mëngjesin e sotëm pika kufitare e Kapshticës u përball me fluks të mjeteve të këtyre qytetarëve.
Autoritetet kanë shtuar sportelet në hyrje për të shmangur pritjet dhe rradhët e mjeteve, konkretisht kanë punuar me 4 sportele në hyrje dhe 2 në dalje.
Vetë qytetarët tregojnë se situata ka qenë pak e ngarkuar por nuk kanë pritur gjatë për të kaluar nga kjo doganë.
Po ashtu kanë treguar se kthehen në qytetet e tyre për të festuar Pashkën.
Gjatë 48 orëve të fundit, në pikën kufitare të Kapshticës kanë hyrë rreth 8500 shtetas, ndërsa janë larguar drejt Greqisë rreth 5000 shtetas.
Ndërkohë në Kakavijë në 48 orët e fundit kanë hyrë në vendin tonë 9828 qytetarë.
