Kopshtet pa mësues ndihmës! Prindërit e fëmijëve me autizëm: Të pranishëm në çdo nivel arsimimi
Prindër të fëmijëve me autizëm kërkojnë që përveç shkollave e gjimnazeve mësuesit ndihmës të jenë të pranishëm edhe në kopshte e universitete. Nga bashkitë kërkojnë shtim të qendrave multidisiplinare ndërsa nga qeveria më shumë mbështetje financiare.
Jeta e Loretës prej 17-vitesh mban emrin e të birit. Tomas!
Djali i saj, vuan nga çrregullime të spektrit autik dhe rritja e tij tregon se e ka përballur me shumë sfida.
"Janë kosto shumë të mëdha, sakrifica shumë të mëdha," tha ajo.
Përballë nevojave thotë se mbështetja financiare nga shteti mbetet e ulët ndërsa shumë shërbime mungojnë.
"Në shkollat 9-vjeçare ësuesi ndihmës është vednosur por për shkollat e mesme akoma jo, ka shumë vështirësi, sidomos në shkollat profesionale. Për pjesën e praktikës hasim shumë vështirësi, nuk ia dalim dot për këtë kemp që marrim. Është shumë e ulët, plus që merr dhe ilaçe, disa jo me rimbursim," tha ajo.
Eglantina Bajrami pjesë e Klubit Kombëtar të Prindërve me spektrin autik shtron nevojën për mësues ndihmës edhe në kopshte e universitete.
"Mësuesi ndihmës duhet të fillojë që nga kopështi. Nuk ka më mësues ndihmës vetëm në klasën e parë dhe që futen vetëm nga klasa e parë deri në shkollën e mesme. Aty ka vetëm dy vite që është futur. Në universitete nuk ekzisto fare mësuesi ndihmës," tha ajo.
Në shumë Bashki thotë ajo mungojnë qendrat multidisiplinare për fëmijët e këtij spektri.
"Është për të ardhur keq që shumë bashki akoma nuk e kanë kuptuar që nga shtatori i 2018 të gjitha qëndrat janë në varësi të bashkive dhe është detyra e tyre të hapin qendrat e të trajtojnë fëmijët me autizëm," tha ajo.
Sipas të dhënave të institucioneve rezulton se në Shqipëri janë afro 4 mijë persona me autizëm.