Të pangopur me tenderat, kompanitë e përfshira në konflikt morën miliona euro nga Bashkia Tiranë
Në 7 vitet e fundit kompania Alcani shpk që është në pronësi të personave që kërcënuan konkurentin ka marrë në total 13 prokurime me vlerë totale 1.7 mln euro në bashkinë e Tiranës.
Sipas platformës Open Procurement Albania, subjekti që është në pronësi të babait të një prej juristëve të bashkisë së kryeqytetit, katër tendera i ka fituar me negocim.
Në katër raste ka qenë operatori i vetëm në garë dhe në dy raste janë skualifikuar konkurentët me ofertën më të arsyeshme.
Madje në një prej tyre që Alcani e ka fituar me negocim nuk është respektuar as afati i paraqitjes së ofertave.
Ndërsa kompania tjetër, pronari i të cilës u kërcënua, AL-MEXWOOD shpk, që prej vitit 2018 dhe deri në 2023 ka marrë 7 tendera nga bashkia e Tiranës vlera e të cilave shkon në 1.7 mln euro.
Edhe ky subjekt në 6 nga 7 prokurimet i ka fituar në mungesë të konkurencës.
Por duket se është procedura e fundit me vlerë rreth 830 mijë euro që ka sjellë përplasjen e fortë, ku pronarët e Alcani shpk dhe miqtë e tyre kërcënuan kundërshtarin.
Sipas policisë së Elbasanit, administratori Shyqyri Alcani së bashku me djalin e tij Algert Alcani u kanë kërkuar ndihmë dy personave me precedent penalë me qëllim ushtrimin e presionit përmes kërcënimit te pronari i kompanisë fituese AL-MEXWOOD që të tërhiqej nga gara.
