Politikanët urojnë Pashkët/ Krerët e qeverisë e anëtarët e opozitës urime për festën e ringjalljes së Krishtit
Politikanët në Shqipëri kanë zgjedhur rrjetet socioale për të uruar besimtarët katolikë për festën e pashkëve.
Në urime mbizotëronin thirrjet për paqe dhe dashuri.
Ndër të parët që uroi besimtarët katolikë ishte Presidenti i Republikës Bajram Begaj.
"Gëzuar Pashkët për të gjithë besimtarët katolikë! Shpresa, dashuria dhe jeta e gëzueshme që frymë e Pashkëve përcjell bekoftë jetën tuaj!"
Edhe kryetarja e parlamentit, Lindita Nikolla dha mesazhin e saj për festën e ringjalljes së Krishtit, ndërsa bëri thirrje për paqe.
“Ringjallja e Krishtit është mesazhi i fuqisë së jetës mbi vdekjen, i rrezes së dritës mbi tunelin e errësirës, i bekimit të dashurisë mbi mallkimin e urrejtjes, i paqes mbi luftën, i ngadhënjimit mbi mungesën e shpresës.
Thirrja dymijëvjeçare “Paqe për ju” nuk është vetëm një mesazh fetar dhe as vetëm kristian, por një mesazh universal dhe njerëzor, për paqe, dashuri, pajtim e përdëllim!
Thirrja e Pashkëve për paqe le të përshkojë jetët tona, familjet tona, vendet tona! Gëzuar Pashkët, gjithë besimtarëve katolikë!”, shkruan në urimin e saj Kryetarja Nikolla.
Kryeministri Edi Rama gjithashtu uroi besimtarët katolikë për Pashkët.
“MIRËMËNGJESI dhe me ditën e Ringjalljes së Krishtit, që celebron dashurinë e pafundme dhe sakrificën për njeriun, ju uroj gëzuar Pashkën Katolike”, shkruan Rama.
Urime erdhën dhe nga anëtarët e opozitës. Sali Berisha e cilësoi festën e pashkëve si një ditë e shpresës dhe e frymëzimit.
"Të dashur miq, sonte besimtarët katolik shqiptar dhe të të gjithë botës festojnë Pashkën, ditën e ringjalljes të Krishtit Mbret.
Pashka, dita e ringjalljes së Hyijt është për çdo njeri, për të gjithë besimtarët, ditë e besimit të madh tek Zoti, te mirësia dhe gjithëfuqia e tij. Vetishëm Pashka është ditë e shpresës së pashuar, e frymëzimit të njeriut nga vlerat hyjnore dhe njerëzore dhe një e ardhme më e mirë.
Kjo ditë e bekuar i ka gjetur kësaj rradhe Shqipërinë, besimtarët katolik dhe miqtë e tyre të besimeve të tjera para një zgjedhje historike me datën 14 maj.
Duke ju uruar të gjithë besimtarëve katatolik këtë ditë të shenjtë, ju ftoj të dashur miq t’i lutemi ne Zotit që të bekojë Shqipërinë, shqiptarët kudo që janë dhe votën e tyre për rivendosjen e pluralizmit në Shqipëri. Pashkën tjetër më mirë ta festojmë! "
Kryetari i komanduar i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj i uroi besimtarëve katolikë paqe dhe mirësi.
Ish-Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Bashan me anë të një postimi në rrjetet sociale shkruan se kjo ditë e Ringjalljes së Krishtit të jetë dita e ngjalljes së shpresës dhe besimit.
"Të dashur besimtarë katolikë dhe ungjillorë, ju uroj nga zemra Pashkë të bekuar! Për shumë vjet gëzuar këtë ditë të shenjtë që kremton triumfin e jetës mbi vdekjen, të shpresës mbi të keqen, të dritës mbi errësirën, të së drejtës mbi padrejtësinë!
Lutemi që kjo ditë e ngjalljes së Krishtit të jetë dita e ngjalljes së shpresës dhe besimit tek një e nesërme më e mirë dhe e sigurt, nën mbrojtjen dhe drejtimin e Zotit fuqiplotë", shkruan Basha.
Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta uroi gjithashtu besimtarët.
"Të gjithë besimtarëve katolikë dhe ungjillorë ju uroj nga zemra, Pashkë të Bardha! Qofshi të gëzuar pranë familjeve e më të dashurëve tuaj.
Mesazhi i ringjalljes që kjo festë sjell, uroj të jetë ringjallje dhe e Shqipërisë sonë, në të gjitha aspektet," tha ai.
Festa e Pashkëve është festa më e shenjtë e besimtarëve katolikë e cila simbolizon ditën e ringjalljes së Jezu Krishtit pas kryqëzimit të tij.


